Një “babë” i futbollit si Zinedine Zidane
BKT
Sport

Një “babë” i futbollit si Zinedine Zidane

Sigurisht që Zidane ka të drejtë të gëzohet e të lumturohet, por për shumëkënd, të fitosh tituj me “mbretërit”, nuk është kushedi se çfarë problemi, duke ditur që Reali është klubi më i madh në botë, dhe mbase edhe më i pasuri. Plus që mbledh në Madrid lojtarët më të mirë të globit.

Të enjten e konfirmoi edhe një gjë, përfundimisht. Zinedine Zidane, prej kësaj nate, dëshmoi se është edhe njëri prej trajnerëve më të mirë të futbollit, pos që konsiderohet ndër lojtarët më të mirë që njohu ky sport, ndonjëherë. Algjeriani i lindur në Francë u bë kampion i Spanjës, me ekipin e Realit, për të dytën herë në karrierën e tij me këtë klub.

Ai nuk e mohoi se trofeu e gëzoi shumë.

“Është diçka e mrekullueshme…Ka njerëz që thonë se lumturia nuk bën zhurmë, por, nga brenda, unë jam njeriu më i lumtur në botë, tash për tash”, tha Zizou në konferencën për shtyp, pas ndeshjes së mbrëmshme me Villarreal, që Madrid e fitoi 2 me 1, përcjell KK.

“Unë jam ai që jam. Është e vërtetë se nuk jam person shumë shpërthyes, por, e them sërish se ndihem shumë i kënaqur, nga brenda. Gjithmonë kam thënë se La Liga është e zorshme për t’u fituar, dhe ajo u fitua tek sonte, jo më herët. Prandaj, për këtë ju mund të shihni një buzëqeshje të madhe në fytyrën time sonte, sepse, në fakt, mundem dhe kam të drejtë të buzëqesh”.

Ky titull, për 48 vjeçarin, është më i ëmbël, krahasuar me të parin që e fitoi si trajner i Real Madridit, më 2017.

“Titulli i parë në La Liga ishte i mrekullueshëm, por ky tashti ka shije të veçantë”, tha ai. “Titulli i ri vjen pas dy muajve të qëndrimit në shtëpi. Na u desh të përgatitemi në mënyrë tjetër për ta fituar kampionatin, që siç kam thënë më herët, është gjëja më e vështirë për ta bërë. Ne ia dolëm. Sakrifica u shpagua”.

Sigurisht që Zidane ka të drejtë të gëzohet e të lumturohet, por për shumëkënd, të fitosh tituj me “mbretërit”, nuk është kushedi se çfarë problemi, duke ditur që Reali është klubi më i madh në botë, dhe mbase edhe më i pasuri. Plus që mbledh në Madrid lojtarët më të mirë të globit.

Por, sivjet nuk ishte se superyjet i bënë punë. Lojtarët më të mirë, nuk shkrepën. Blerja më pomoze, Eden Hazard nuk u bë i gjallë. Belgu nuk pati fat gjithë sezonin dhe numri i golave të tij nuk hipi në më tepër se 2. Edhe më “i vdekur” ishte Gareth Bale, lojtari më i shtrenjtë në histori të klubit. Edhe ky mbeti në po të njëjtën kuotë, vetëm dy gola ndërsa gati ka harruar kur u aktivizua për herë të fundit. Kaq mundi të bëje edhe serbi Luka Joviq, për të cilin verën e kaluar u paguan më tepër se 60 milionë euro. Marco Asensio nuk luajti deri para pak xhirove, për shkak të lëndimeve.

Pavarësisht dështimit të krejt këtyre, Zidane gjeti formulën për ta mbajtur ekipin në garë, me rivalin më të madh, Barcelonën. Në ndeshjet direkte me “blaugranat”, “merenguesët” dolën mirë, duke regjistruar një barazim si mysafir në pjesën vjeshtore të sezonit dhe një fitore në shtëpi, 2 me 0, në fillim të marsit.

Pastaj, ndodhi një e papritur e madhe.

“Momenti më i rëndë ishte humbja nga Betisi, pasi kjo ishte një kthim prapa, pas fitores një xhiro më parë ndaj Barcelonës në shtëpi”, tha Zidane.

“Mandej erdhi momenti të mbyllemi në shtëpi, dy muaj dhe kur u kthyem ishte krejt ndryshe”.

Në fakt, Real e fitoi titullin e 34-të në histori të klubit në rrethana të ndryshme, dhe të çuditshme. Pandemia COVID-19 çrregulloi gjithçka, përfshirë futbollin dhe jetën e lojtarëve. Dy muaj të gjithë qëndruan të izoluar, duke ushtruar në kushte të shtëpisë. Pak besohej që sporti më i pëlqyer në botë, do të kthehej sërish. Megjithatë, tre muaj pas plasjes së pandemisë, qeveria spanjolle mori vendim të kthehet futbolli. Disa javë para vazhdimit zyrtar të kampionatit, futbollistët i rinisën stërvitjet.

“U kthyen me energji të reja. Ne tashti donin t’i bëjmë gjërat mirë, sërish dhe të përgatitemi, të ushtrojmë maksimalisht”, deklaroi Zidane. “Dhe ia dolëm, arritëm 10 fitore nga po aq ndeshje… Loja me Betisin nuk është më në mendjen time”.

Sfida e radhës ku Zidane mbetet të tregojë se është “baba” i futbollit, edhe si trajner, është Liga e Kampionëve. Real i shkon si mysafir, në ndeshjen e kthimit, Manchester Cityt, në “Etihad”, më 7 gusht. i pari takim, i luajtur në Madrid, përfundoi me fitoren e anglezëve, 2 me 1. Mbretërit duhet me patjetër të shënojnë dy gola më tepër se kundërshtarët për të kaluar në çerekfinale. Kjo po që do të jetë diçka e zorshme. Por jo edhe e pamundur për kryemjeshtrin Zidane.