Procesi i apelimit për kasapin e Ballkanit, Ratko Mladiq
Ratko Mladiq del sërish para gjykatës. Bëhet fjalë për procedurën e apelimit për ish-kreun e ushtrisë së serbëve boshnjakë të dënuar për gjenocid. Mladiq i hedh poshtë akuzat.
Ratko Mladiq, të cilin mediat ndërkombëtare e cilësojnë si „kasapin e Ballkanit", konsiderohet si një nga përgjegjësit kryesorë për krime lufte dhe gjenocid gjatë luftës së Bosnjes (1992-1995), gjatë së cilës u vranë 100.000 dhe afër 2,2 milionë u detyruan të marrin arratinë. Si ish-komandant i ushtrisë së serbëve boshnjakë ai u dënua në vitin 2017 me burgim të përjetshëm, ndër të tjera edhe për shkak të përgjegjësisë së tij për masakrën e Srebenicës, ku në vitin 1995 u vranë më shumë se 8.000 myslimanë boshnjakë.
77-vjeçari i hedh poshtë të gjitha akuzat kundër tij. Edhe prokuroria e ka apeluar vendimin, sepse ajo kërkon të arrijë edhe një dënim tjetër për gjenocid. Nga e marta (25.08) filloi procesi i apelimit para gjykatës pasuese të Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Për Radovan Karaxhiq, kokën politike të serbëve boshnjakë gjatë luftës së Bosnjes, hyri vitin e kaluar përfundimisht në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm.
"Hakmarrje" për sundimin turk
Babai i Mladiqit të lindur në vitin 1943 në Bosnjen lindore, partizan, u vra nga milicët kroatë të ustashëve, një milici e lidhur me Gjermaninë hitleriane, kur djali ishte vetëm dy vjeç. Si i ri Mladiqi filloi karrierën si komunist i bindur në Jugosllavinë socialiste. Ai ndoqi studimet në Akademinë Ushtarake në kryeqytetin Beograd, të cilën e përfundoi me rezultatet më të mira. Në kulmin e karrierës së tij, Ratko Mladiq ishte gjeneralmajor dhe një nacionalist i flaktë. Ai e shihte veten si hakmarrësin për vuajtjen e serbëve gjatë sundimit disa qindra vjeçar turk në Ballkan.
Hija e luftëtarit të dikurshëm
Pas përfundimit të luftës së Bosnjes në vitet 1995/96 Mladiq kaloi në ilegalitet në Serbi. Vetëm me presionin masiv të Brukselit, drejt të cilit donte të shkonte kandidatja e BE, Serbia, autoritetet filluan të kërkonin seriozisht Mladiqin në vitet 2000. Por arrestimi i Mladiqit u arrit të kryhej vetëm në vitin 2011 në një fshat në Serbinë veriore, një njeri i dobët, i sëmurë, prej luftëtarit të dikurshëm kishte mbetur vetëm hija e tij.
Mladiq në gusht 1995
Procesi në Hagë zgjati në instancën e parë 523 ditë, rreth 600 dëshmitarë u pyetën. Mladiq theksonte rregullisht pafajësinë e tij për të gjitha pikat e aktakuzës, që ai i cilësoi si „të neveritshme". Tribunalin e Hagës vetë ish-kreu i ushtrisë e cilësoi "satanik”.
Gjendja shëndetësore e përkeqësuar
Procedura e tanishme e apelimit u shty në fillim për shkak të pandemisë së Coronës - Mladiq "për shkak të moshës dhe historisë së sëmundjes” konsiderohet si i rrezikuar. Në mars ai u operua nga zorra e trashë. Në korrik, Mladiq pretendoi, se mjekët e zbukuronin gjendjen e tij shëndetësore, me qëllim që procesi të vazhdonte. "Nuk ka dyshim, aftësitë e tij konjitive po dobësohen”, komentoi avokati i Mladiqit.
Një vendim përfundimtar, që hyn në fuqi pritet vetëm vitin e ardhshëm. Vëzhguesit nuk presin ndonjë vendim spektakolar, dhe për lirimin e Mladiqit as që bëhet fjalë. Pyetja kryesore tani është: do të jetë Ratko Mladiq gjallë deri në fund të procesit kundër tij./DW























