Pirlo zgjedh Dzekon, Juve punon për të kompletuar transferimin
BKT
Sport

Pirlo zgjedh Dzekon, Juve punon për të kompletuar transferimin

Andrea Pirlo ka zgjedhur Edin Dzekon si profilin ideal për të formuar treshen sulmuese ne Ronaldon e Dybalën dhe drejtuesit e Juventusit kanë nisur punën për të transferuar sulmuesin boshnjak në Torino sa më shpejt.

Lajmi konfirmohet nga mediat italiane, që raportojnë se Paratici është takuar tashmë me menaxherin e Dzekos dhe kanë rënë dakord për të nënshkruar një kontratë dy vjeçare, me pagë prej 7.5 milionë eurosh në sezon, aq sa futbollisti merr aktualisht te Roma.

Momentalisht drejtuesit e Juves po negociojnë me Romën, të cilës janë gati t’i paguajnë 12 milionë euro për kartonin e 34-vjeçarit, që për më tepër mban edhe shiritin e kapitenit te klubi verdhekuq.

Gjithashtu mësohet se edhe vetë pronari i ri i verdhekuqve, Dan Friedkin ka dhënë miratimin për shitjen e Dzekos, por ka udhëzuar njerëzit e tij që fillimisht të gjendet zëvendësuesi dhe për këtë arsye drejtuesit romanë po punojnë për blerjen e polakut Milik nga Napoli.

Së fundi bardhezinjve u është ofruar edhe sulmuesi uruguaian Luis Suarez, por fakti që ky i fundit nuk e njeh Serinë A dhe mbi të gjitha paga e lartë prej 12.5 milionë eurosh që merr aktualisht te Barcelona, ka bërë që Paratici e Nedved të heqin dorë prej tij.