Drenica shijon fitoren e parë, Arbëria frenon Prishtinën
Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së dytë në Superligë. Arbëria ka regjistruar një tjetër rezultat befasueses.
Pas fitores në Mitrovicë ndaj Trepçës’89, skuadra nga fshati Dobrajë e Lipjanit ka arritur t’i marrë një pikë Prishtinës, 1:1 në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq. Të parët në epërsi kaluan futbollistët e drejtuar nga Arbnor Morina në minutën e 10-të me një supergol të shënuar nga Dior Zabërgja. Pas këtij goli Prishtina bëri trysni të vazhdueshme dhe arriti të barazojë shifrat me golin e Otto John, në minutën e 35-të. Megjithatë, në pjesën e dytë përkundër mbizotërimit bardhekaltrit n uk arritën ta thyejnë mbrojtjen e ngjeshur të Arbërisë. Kësisoj, Arbëria dhe Prishtina pas javës së dytë kanë nga 4 pikë. Ndërkohë, Drenic e ka realizuar fitoren e parë në edicionin e ri të Superligës, teksa e ka mposhtur në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj skuadrën e Besës, me rezultat 2:1. Për pejanët kjo është humbja e dytë radhazi dhe pa dyshim se do të jetë skuadra që do të luftojë për mbijetesë në këtë kampionat. Ndeshja nisi mirë për mysafirët, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 34-t, me golin e shënuar nga Matheus De Paula, i cili shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes vendase. Megjithatë, kuqezinjtë e Skenderajt reaguan shpejt dhe në minutën e 44-t barazuan shifrat me golin e Hysen Tahirit nga penalltia, derisa golin e fitores e realizoi Qemail Elshani në minutën e 60-të.























