MV në pritje të konferencës ndërqeveritare për datën e bisedimeve me BE-në

MV në pritje të konferencës ndërqeveritare për datën e bisedimeve me BE-në

Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer, tha sot se sundimi i ligjit është çështja kryesore por dhe vazhdimi i reformave të tjera që Maqedonia e Veriut të shkojë drejt Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi se vendi ka bërë mjaft përparime.

Ndërkaq, Kryeministri Zoran Zaev pret që në fillim të nëntorit në Konferencën ndër-qeveritare vendit të tij t’i caktohet përfundimisht data për fillimin e bisedimeve me BE-në.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha në një konferencë shtypi pas takimit të parë me ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian, David Geer se Maqedonia e Veriut “është në rrugë të mirë dhe se nuk ka kthim prapa”. Ai shtoi se është humbur mjaft kohë në konflikte në vend të zgjidhjes së tyre, teksa thekson që Konferenca ndërqeveritare me Këshillin Evropian të mbahet në fillim të nëntorit, prej nga pret caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për vendin e tij për t’u bërë pjesë e BE-së.

Ndërkohë, ambasadori i ri i BE-së, David Geer theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të përqendrohet tek sundimi i ligjit në periudhën e ardhshme, si fusha kyçe e reformave drejt integrimit evropian që është dhe kusht i metodologjisë së re të zgjerimit. Ai theksoi se ky do të jetë kapitulli i parë që do të hapet gjatë bisedimeve dhe me këtë do të mbyllen bisedimet. Por, BE-ja do t’i kushtojë kujdes edhe fushave të tjera:

“Mbështetja e demokracisë, mbrojtja e të drejtave të njeriut, ambienti jetësor dhe gjithsesi marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore duhet të jenë në fokus të qeverisë së re”, tha zoti Geer.

Ai nënvizoi arritjet që ka bërë Maqedonia e Veriut si në reformat e brendshme po ashtu edhe në zgjidhjen e çështjeve dy palëshe me fqinjët e saj. Ambasadori tha se “ky vend është një shembull i mirë për të gjithë rajonin”, ndërsa foli për përparsitë, të cilave duhet t’iu përkushtohet Shkupi me qëllim të përparimit në shtegun drejt BE-së.

Ndërkaq, kryeministri Zaev shprehet i bindur se Maqedonia e Veriut nuk do të lejojë arsye të reja për zvarritjen e procesit, teksa theksoi përkushtimin dhe punën si në reformat e brendshme edhe në raportet me fqinjët.

Nga ana tjetër, Shkupi duket i shqetësuar për shkak të kërcënimeve të shpeshta që vijnë nga Sofja fqinje se mund të bllokonte hapjen e bisedimeve nëse autoritetet qeveritare maqedonase nuk lëshojnë pé lidhur me disa figura historike për identitetin dhe përkatësinë etnike të të cilëve pretendojnë të dyja palët.

Megjithatë, Zoran Zaev shpreson se me Bullgarinë si aleatë të NATO-s do të kapërcehen mosmarrëveshjet me anë të dialogut dhe në frymën e miqësisë.

Maqedonia e Veriut e mori statusin e “vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian” qysh në dhjetor të vitit 2005, por përplasjet e shpeshta politike dhe ngecja e reformave e kanë zvarritur rrugën e saj të integrimit evropian./VOA