Reuters: Ministria ruse e Mbrojtjes hap zyrë në Serbi

Reuters: Ministria ruse e Mbrojtjes hap zyrë në Serbi

Rusia ka autorizuar Ministrinë e saj të Mbrojtjes të hapë një zyrë në Serbi, thuhet në një dokument të Qeverisë ruse.

“Moska përpiqet t’i zgjerojë lidhjet e saj ushtarake me aleatin tradicional në Ballkan, edhe kur Beogradi dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, shkruan Reuters.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes në Serbi konfirmimin e këtij informacioni.

Muajin e kaluar, Serbia i ka pezulluar stërvitjet ushtarake me ushtritë e huaja për gjashtë muaj, duke thënë se ka pasur presion nga BE-ja për t'u tërhequr nga stërvitjet e përbashkëta me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Urdhri i Qeverisë ruse për hapjen e zyrës në Serbi daton nga 15 tetori dhe është nënshkruar nga kryeministri rus, Mikhail Mishustin.

Aty thuhet se shefi i zyrës së propozuar do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve ushtarake dhe teknike, në lidhje me bashkëpunimin ruso-serb.

Marrëveshja, pasi të nënshkruhet nga të dyja palët, do t'i japë një zyrtari rus në Serbi të drejtën për të vizituar divizionet serbe që përdorin armë dhe pajisje ushtarake ruse, me kusht që ato të njoftohen paraprakisht dhe të japin pëlqimin e tyre.

Sipas Reutersit, nga Ministria serbe e Mbrojtjes nuk ka ende komente.

Viteve të fundit, Serbia ka blerë aeroplanë luftarakë MiG-29 nga Rusia, si dhe helikopterë, tanke dhe transportues të blinduar./REL