Roben vendos të bëjë një muaj pushim nga futbolli
BKT
Sport

Roben vendos të bëjë një muaj pushim nga futbolli

Arjen Roben ka qenë padyshim një prej emrave më të njohur në futbollin botëror në dekadën e kaluar, por për fatin e tij të keq, dëmtimet i penalizuan një karrierë e cila u ndërpre në periudha të gjata pauzash si pasojë e tyre.

Edhe tani, në atë që është etapa e tij e fundit, te Groningen në Holandë, dëmtimet kanë kthyer përsëri makthin e lojtarit që mori nofkën “njeriu prej qelqi” për shkak të problemeve të shumta fizike.

Që në ndeshjet e para të këtij sezoni të rikthimit të tij në futbollin e luajtur, Roben ka pasur shumë probleme fizike. Për këtë aryse, ai ka vendosur që të bëjë një muaj pushim, që t’i japë mundësinë trupit të tij të rikuperojë. Ndaj Roben do të kthehet në fushë vetëm në muajin dhjetor, duke shpresuar që kalvari i tij i gjatë të mos vazhdojë më tej, transmeton "Vip Sport".

“Nuk e fsheh që është një situate zhgënjyese. Shpresoja të merrja pjesë në më shumë ndeshje, por dëmtime dhe dhimbje të vogla më ndaluan. Është logjike, kam qëndruar një vit pushim, kam një moshë të caktuar si dhe një histori dëmtimesh”, pranoi futbollisti duke bërë të ditur vendimin për të qëndruar një muaj larg fushave të lojës.