Rrëfimi i Pjaniçit: Dua trofe me Barcen, te Juve me Pirlon rrezikoja…
Për momentin është i fokusuar te Barcelona dhe ka si objektiv të fitojë trofe të rëndësishëm me katalanasit, por Miralem Pjaniç ka zbuluar disa nga prapaskenat e karrierës së tij.
Mesfushori boshnjak thotë se mund të transferohej tek Interi dhe te Bajerni, por refuzoi gjithashtu edhe Juventusin sepse mund të qëndronte në stol.
Në një intervistë për “Canal Plus”, ish-mesfushori i Juventusit tregon se mund të luante edhe për kombëtaren franceze, por zgjodhi me zemër. Ai thotë gjithashtu se nuk është më i miri në aspektin fizik apo për shpejtësi, por vendos trurin në punë dhe kjo gjë e ndihmon të jetë një hap përpara të tjerëve.
FRANCA – “Mund të kisha luajtur për kombëtaren franceze në momentin që nisa të aktivizohesha me Lyonin, por kisha thënë kohë më parë që ëndrra ime ishte të luaja për Bosnjën. Domenek më telefonoi, por unë e kisha vendosur me veten time. E falënderova atë, por doja të isha realist. Për mua, Franca ishte shumë e madhe në atë kohë, por në Bosnjë do të kishte shumë të zhgënjyer që një djalë i tyre po luante për kombëtaren e Francës”.
BARCELONA – “Tani jam në klubin më të mirë në botë. Jam i dashuruar me stilin e tyre dhe kam dashur gjithmonë që të transferohem aty. Nuk jam ende shumë i lumtur sepse nuk po luaj sa duhet, por shpresoj që në të ardhmen të kem mundësinë për të fituar trofe të rëndësishëm me këtë fanellë. Ky është objektivi im. Kjo është ajo që dua dhe do të punoj shumë për ta arritur”.
E SHKUARA – “Kisha mundësinë për të zgjedhur edhe ekipe si Bayerni i Mynihut apo Interi në të shkuarën, por gjithmonë kam menduar se nuk është momenti i duhur. Gjithashtu, mund të kisha zgjedhur Juventusin edhe 2 vite përpara se të shkoja, por edhe në atë moment mendova se nuk ishte i duhuri. Rrezikoja që të humbja 2 vite nga karriera ime sepse në atë kohë luanin Pirlo, Vidal dhe Pogba”.
KARAKTERISTIKAT – “Jam një mesfushor krijues. Futbolli im lidhet me të menduarit më shumë sesa më të vepruarit. Nuk jam më i shpejti i skuadrës, por bëj që topi të lëvizë me shpejtësi. Ky është vizioni im për futbollin. Nuk jam gjithashtu më i forti fizikisht, edhe pse për këtë po punoj. Kontrolli i topit, pasimi dhe vizioni janë armët e mia të forta. Duhet të jesh inteligjent në fushë”.























