Sonte Kosova-Moldavia në RTK1
Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte luan sfidën e fundit në Grupin C në Ligën e Kombeve, raporton RTKLive.com.
“Dardanët” në ‘Fadil Vokrri’ i bëjnë ‘konak’ Moldavisë, sfidë kjo ku skuadra jonë synon rezultat pozitiv për të siguruar mbetjen në këtë rang garash.
Kosova në duel me moldavët vjen pas disfatës kundër Sllovenisë (2-1). Edhe duelin me Moldavinë do ta drejtoj ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti për shkak së Bernard Challandes akoma nuk është shëruar nga Covid-19.
Kombëtarja jonë mbrëmë ka mbajtur stërvitjen e fundit para ndeshjes së sotme. Sahiti thotë së skuadra jonë është favorit në këtë duel, edhe pse ai e pranon se Moldavia është e mirë në lojën defensive.
“Ne jemi favorit në këtë ndeshje edhe pse ata janë të mirë në lojën defanzive. Fatmirësisht kemi grup të lojtarëve të jashtëzakonshëm. Ata dinë ta krijojnë vetë atmosferën pozitive. Nuk është e lehtë të drejtohet skuadra në këto momente por ne jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me trajnerin Challendes”, tha Sahiti.
Ndërkaq, trajneri i Moldavisë, Engin Firat, ka deklaruar se ndeshja ndaj Kosovës do të jetë shumë e vështirë pasi Kosova ka një skuadër shumë kualitative, por që ata do ta japin maksimumin për një rezultat pozitiv.
"Unë e kuptoj që edhe ne kemi vuajtur shumë nga COVID-19 dhe të njëjtën situatë e ka pasur edhe Kosova. Nga potenciali që e ka Kosova mund të themi që e ka një të ardhme shumë të ndritur dhe besoj se mund të arrijë më të mirën e mundshme. Kosova është dashur dhe mund të garonte në Grupin B për shkak të potencialit që ka për të ardhmen", ka theksuar Firat.
Ndeshja Kosova-Moldavia nis në orën 20:45 dhe transmetohet në RTK1. Ndeshjes i paraprinë emisioni “Dardanët” në Radio Televizionin e Kosovës. /RTKLive/























