Dhjetëra viktima nga COVID-19 në RMV

Dhjetëra viktima nga COVID-19 në RMV

Tridhjetepesë pacientë me COVID-19 humbën jetën të hënën në Maqedoninë e Veriut, ndërsa vendi po kalon tashmë edhe një përplasje politike sa i përket menaxhimit të situatës.

Shumica e vdekjeve i faturohen faktit se krahas COVID-19 kanë sëmundje bashkëshoqëruese.  Rastet e shtuara të viktimave kanë bërë që opozita të shtoj trysninë ndaj qeverisë dhe madje ta etiketojë ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, si “ministri i vdekjes”.

“Deri më tani nuk ka përgjigje nga ministri i Shëndetësisë nga përplasja politike, por vlen të thuhet se opozita e konsideron tejet të butë qasjen e qeverisë ndaj pandemisë. Ditën e djeshme pozitiviteti në teste ishte tejet i lartë, duke mbetur te rreth 30% pasi në rreth 1170 teste pati 387 të infektuar të tjerë,” – u shpreh Arifi duke theksuar se numri i testeve ishte tre herë më i ulët se zakonisht.

Maqedonia e Veriut mbetet një nga vendet me bilancin më të rëndë të pandemisë në Ballkanin Perëndimor, transmeton euronews.albania.

Autoritetet kanë kryer mbi 313 mijë teste prej muajit shkurt duke pikasur mbi 55 mijë raste me COVID-19, gjysma prej së cilave mbetet ende me mbartje të virusit, ndërsa 1,546 persona kanë humbur jetën deri më sot.

Në raport me popullsinë, Maqedonia e Veriut ka numrin më të lartë të vdekjeve në rajon, me 773 vdekje për çdo 1 milionë banorë, ndërsa zyrtarisht vdekshmëria e pacientëve është 2.8%.


MË SHUME NGA Rajoni