Taipi: Superioria njësoj si ajo e Zvicrës
BKT
Sport

Taipi: Superioria njësoj si ajo e Zvicrës

Lojtari i Kukësit, Gjelbrim Taipi, i ftuar në Rubrikën Sportive tregon se niveli i futbollit shqiptar është rritur shumë kohët e fundit.

Kukësi ka arritur fitoren e pestë radhazi në kampionat, duke mundur 3-1 Skënderbeun. Një sukses që e vendos skuadrën verilindore në kushte komode në klasifikim: vendi i dytë, tri pikë larg vendit të parë. Mesfushori i kësaj skuadre, Gjelbrim Taipi, në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, ka zbuluar dhe dhuratën që ka marrë për ditëlindjen, që e ka pikërisht sot.

“Fitorja ishte dhurata më e bukur për ditëlindjen time. Vinim pas katër ndeshjesh pozitive dhe ishim përballë një kundërshtari të vështirë. Skënderbeu ka një histori në futbollin shqiptar. Nuk është si në vitet e mëparshme, por kampionati është akoma i gjatë dhe i uroj suksese"

Ndeshja me Skënderbeun…

Nuk ka ndeshje të lehta në Shqipëri. Nëse shikon shifrat në fund, ndoshta duket kollaj, por deri sa rezultati shkoi 2-0, nuk ishim të qetë. Gjatë 90 minutave mund të ndryshonin shumë gjëra nëse kishte ndonjë pakujdesi në mbrojtje ne mund të pësonim.

Niveli në Superiore…

Unë kam luajtur për gati 7 vjet si në Superligën zvicerane, ashtu edhe në kategorinë e dytë të tyre (Challenge league). Mendoj që duke përjashtuar nivelin e Baselit apo Young Boys që shkojnë çdo vit në grupe të Champions-it apo të Europa League, skuadrat e tjera si futboll, si kualitet, si fizik, janë thuajse në një nivel me ato të Shqipërisë. Patjetër, duke hequr pjesën e infrastrukturës, apo stërvitjen. Ndoshta mund ta kem gabim, por aty e shikoj…- ka thënë Taipi në Rubrikën Sportive në RTSH Sport.

Kukësi është konsoliduar..

Na duhej kohë dhe nuk e nisëm mirë. Por koha në futboll nuk pret. Jemi 9 lojtarë në formacion që nuk kemi qënë vitin e kaluar dhe nuk është e lehtë. Po fitojmë një besim pas çdo ndeshjeje, që në fillim thuajse e humbëm. Ishte një moment i tillë që po humbisnim vetbesimin, unë isha i dëshpëruar shumë, por më kanë ndihmuar sidomos drejtori Nexhipi. Tek ndeshjet e para kisha pak vështirësi, erdha pak me vonesë, por e kam marë veten që pas ndeshjes me Teutën. Nuk mund të bëj deklarata se Kukësi po vjen frikshëm, apo jemi super, sepse duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ndoshta edhe kalendari nuk ishte i lehtë në fillim.

Ekipet pretendente…

Në këto javë që kemi luajtur, ekipi që më ka bërë përshtypje për lojë të mrekullueshme ishte Vllaznia. Ne ndoshta fituam me një rezultat të mirë, por mënyra si luajnë me topin, si sillen në fushë, që kërkojnë një lojë sulmuese, më kanë bërë përshtypje për mirë. Por pa përjashtuar Partizanin, Lacin, Teutën.