Greqia pa energji elektrike, dëbora gjunjëzon vendin
Disa mijëra shtëpi mbetën pa energji elektrike të mërkurën në Greqi, pasi një stuhi e ashpër dëbore shkaktoi dëme të shumta në vend.
Fronti i të ftohtit, i pagëzuar me emrin “Medea” e që nisi ditën e shtunë, mbuloi lagje të tëra me disa metra dëborë, duke bllokuar njerëzit në shtëpitë dhe makinat e tyre dhe madje duke zbardhur monumentin e Akropolit në Athinë.
Enti lokal për energjinë elektrike deklaroi se po përpiqej të riparonte dëmet për rreth 40 mijë shtëpi që kishin mbetur në orët e mbrëmjes, nga 70 mijë që ishin në mëngjes.
Të prekura nga defekti janë kryesisht periferitë veriore të Athinës, si Dionysos, që përveç se pa energji ka mbetur edhe pa ujë, njofton euronews.albania.
Banorët u detyruan të punonin për të larguar borën nga shtëpitë dhe makinat e tyre, me nivelin e saj që arrinte deri në gju, ndërsa autoritetet vijojnë punët për zhbllokimin e rrugëve.
Zjarrfikësit morën mbi 2 mijë telefonata në rang vendi për ndihmë nga qytetarët e bllokuar në dëborë, për zhvendosjen e pemëve të rrëzuara, apo për të shkuar në spitale për të marrë ndihmë mjekësore. Për të ndihmuar në terren ka zbritur edhe ushtria.
Sidoqoftë, fronti i të ftohtit nisi të zbutet gjatë së mërkurës dhe meteorologët presin që temperaturat të rriten ditën e enjte.























