Tetova qyteti me më shumë të papunë në Maqedoni

Tetova qyteti me më shumë të papunë në Maqedoni

Tetova renditet qyteti i parë me të papunë në Maqedoni, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Punësimit.

Në fakt, Shkupi me 30.638 persona të papunë kryeson listën, mirëpo kur merret parasysh se Shkupi ka mbi 600 mijë banorë në raport me Tetovën me rrethinën me mbi 180 mijë banorë, atëherë Tetova me 20.160 të papunë është qyteti i parë në vend për papunësi.

Në top-dhjetëshin e qyteteve tjera më të mëdha në Maqedoni me numër të lartë të të papunëve renditet edhe Kumanova me afër 100 mijë banorë dhe 16.219 të papunë, Gostivari me mbi 80 mijë banorë me 11.295 të papunë, Prilepi me mbi 70 mijë banorë dhe 9080 të papunë, Strumica me mbi 35 mijë banorë dhe 6779 të papunë, Manastiri me 33.232 banorë dhe 6773 të papunë, Velesi me mbi 55 mijë banorë dhe 5456 të papunë, Struga me mbi 63 mijë banorë dhe 4887 të papunë dhe Shtipi me mbi 40 mijë banorë dhe 4473 të papunë.

Njëherësh, edhe qytetet e tjera me numër më të madh apo më të vogël të banorëve, por edhe me një popullatë të madhe jashtë shtetit apo në mërgim, kanë shifra të larta të papunësisë. Në Kërçovë, në muajin dhjetor të vitit 2020, janë regjistruar 4069 të papunë, në Koçani 3596 të papunë, Dibra me 3062 të papunë, Kriva Pallanka – 3061, Radovishi – 2986, Kavadari – 2333 dhe Gjevgjelia me 2113 të papunë. Ekspertët e kësaj fushe thonë se përskaj zhvillimit jo të barabartë rajonal, papunësia në Maqedoni ndërlidhet edhe me procesin e tranzicionit, që kontribuoi në papunësinë afatgjatë. Megjithatë, në nivel vendi, papunësia po shënon trend të uljes si rrjedhojë e mërgimit jashtë shtetit të fuqisë punëtore për punë të përkohshme sezonale apo për punë të përhershme, krijimit të vendeve të punës nga ana e investitorëve të huaj dhe vendor, kalimit të më shumë vendeve të punës nga ekonomia informale në ekonominë formale falë përkrahjes qeveritare, por edhe në sajë të masave aktive të tregut të punës.

Ekonomistët thonë se zgjidhja e problemit të papunësisë kërkon analizë më të thellë, si dhe realizimin më në fund të regjistrimit të popullatës. “Regjistrimi do të tregojë një pasqyrë reale të popullatës që jeton në vend, si dhe popullatën që jeton jashtë vendit. Në bazë të kësaj, do të duhet të përgatitet edhe një Program afatgjatë dhe i qëndrueshëm ekonomik, i bazuar edhe kuadrin me të cilin disponojmë, por edhe në përgatitjen e kuadrit për një ekonomi që synojmë ta kemi nesër”, thonë ekonomistët. Ata shtojnë se është vështirë të thuhet se sa janë reale shifrat e papunësisë për shkak se një pjesë e caktuar e punëtorëve, nuk janë të paraqitur dhe punojnë në ekonominë gri, në bujqësi, një pjesë punojnë për gjashtë muaj jashtë shtetit e kështu me radhë.

Sfidë në të ardhmen mbetet edhe decentralizimi më i madh fiskal apo rritja e kulaçit të tatimeve për komunat. Kjo kërkon edhe trajnimin apo aftësimin e të punësuarve në komuna që do të kenë mundësi që me më shumë mjete financiare të marrin përgjegjësinë për ofrimin e kushteve më të mira për investitorët vendor dhe të huaj, si dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Ndryshe, para dy vitesh – Banka Botërore në raportin e saj konstatoi se gati të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor po shënojnë ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit, por megjithatë në të gjithë rajonin mbeten problemet e punësimit më të ulët të grave dhe të rinjve, papunësisë afatgjate, si dhe shkalla e lartë e punësimit joformal në firma jo të regjistruara, punëtorë që pranojnë paga pa kontratë formale me shkrim apo punëtorët jo të paguar familjar.


MË SHUME NGA Rajoni