Abazoviç në Parlamentin Evropian: S’jemi qeveri `pro-ruse`
Vizita e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç në Parlamentin Evropian nuk kaloi pa deklarata të mëdha besnikërie ndaj BE-së.
Në fakt, qëllimi dhe raportimi i tij në Komisionin për Politikën e Jashtme të Parlamentit Evropian kishte pikërisht këtë qëllim, ri–konfirmimin e mbështetjes të BE-së ndaj Malit të Zi dhe të diskutonin prioritetet e qeverisë së re në kushtet e pandemisë së Covid-19.
Sipas Abazoviçit, ekonomia malazeze është goditur rëndë nga koronavirusi, veçanërisht sepse ajo mbështetet nga turizmi.
“Dihet tashmë që vendi ynë është shumë i varur nga sezoni turistik. 25% e GDP-së tonë vjen nga turizmi dhe e dimë që ky sezon nuk do të jetë si ai i vitit 2019, kërkojmw ndihmën tuaj që të nisë vaksinimi masiv dhe të krijoni Korridorin e Gjelbër për vendet e Ballkanit Perëndimor,” – tha zëvendëskryeministri i Malit të Zi.
Ndërkohë që për ata që i akuzojnë si qeveri filo-ruse, Abazovic u shpreh që nuk do të lëvizin asnjë centimetër nga integrimi Evropian.
“Ka shumë njerëz që shprehen që jemi qeveri ‘pro ruse’, por ne kemi vetëm një qëllim, integrimin evropian dhe nuk do të lëvizim asnjë centimetër nga kjo,” – u shpreh Dritan Abazoviç.
Në fund të diskutimit të tij, Abazoviç u shpreh që qeveria e re do të punojë shumë për sundimin e ligjit dhe lirinë e medias, dhe do të përpiqet shumë për të dhënë rezultate të mira në të ardhmen, duke shpresuar tek korridori i gjelbër i Ballkanit Perëndimor.























