Zaev: Identiteti maqedon është i panegociueshëm
BKT
Rajoni dhe Bota

Zaev: Identiteti maqedon është i panegociueshëm

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nga Brukseli tha se identiteti maqedon nuk është për t’u negociuar.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë dy ditëve të fundit në Bruksel ka realizuar takime me përfaqësuesit e lartë të Komisionit dhe Parlamentit Europian si edhe takime me disa ministra të punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së.

Zaev është shprehur i qartë se identiteti maqedon nuk është për t’u negociuar, ndërsa ka theksuar: “Ne kemi edhe krenari edhe identitet personal. Krenarinë mund ta përforcojmë ose ta qetësojmë, por identiteti dhe gjuha maqedone janë të paprekshme për ne, një dhe të vetme, të pandryshueshme”.

Me identitetin maqedon shton ai, nuk guxon dhe nuk do të luajë as qeveria ime, as asnjë qeveri tjetër, e as më pak një shtet tjetër ose union në të cilin nuk jemi anëtarë.

“Këtë javë jemi në agjendë pune intensive europiane në relacionin Shkup – Bruksel- Madrid – Athinë. Sot ju drejtohem nga Misioni i Maqedonisë së Veriut, këtu nga zemra e Bashkimit Europian nga Brukseli.

Kishim takime intensive me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve europiane dhe u siguruam që edhe në Komisionin Europian edhe në Parlamentin Europian edhe në cilindo institucion tjetër europian, përfaqësuesit kyç e dinë dhe e kuptojnë që identiteti jonë maqedon nuk është për t’u negociuar dhe asnjëherë nuk do të jetë për t’u negociuar.

Fon der Layen, Varheley, Sasoli, Borrel, Timermans, Lajcak, Veber, të gjithë liderët europianë dhe përfaqësues e dinë dhe e kuptojnë pozitën tonë, deri sa dikush përpiqet dhe atë mund ta shohim se përpiqet, gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas ta vendos në tryezë për bisedime, ne nuk do të negociojmë.

Thamë qartë dhe zëshëm dhe e përsëritëm, largoni secilin diskutim për gjuhën maqedone dhe identitetin maqedon nga tryeza e bisedimeve në Bruksel – pas kësaj mund të vazhdojmë të diskutojmë për ardhmërinë tonë europiane”, ka thënë Zaev.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota