Austria kundërshton anëtarësimin ndaras të Shqipërisë në BE
BKT
Rajoni dhe Bota

Austria kundërshton anëtarësimin ndaras të Shqipërisë në BE

Olivér Várhelyi propozoi që të vazhdohej përpara me bisedimet e pranimit të Shqipërisë duke përjashtuar nga shqyrtimi i përbashkët Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, e ka quajtur propozimin e Komisionerit për Zgjerim të BE-së Oliver Varhelyi, si një lëvizje absurde.

Olivér Várhelyi propozoi që të vazhdohej përpara me bisedimet e pranimit të Shqipërisë duke përjashtuar nga shqyrtimi i përbashkët Maqedoninë e Veriut.

Sipas ministrit austriak, Maqedonia e Veriut ka ndryshuar emrin e saj, ka zbatuar reforma të jashtëzakonshme dhe ai mendon se BE duhet të jetë më e kujdesshme me sinjalet që po dërgon.

“Bullgaria aktualisht është shteti që po bllokon bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut”, shkruan në portalin e saj Euractiv. Sofja i sheh përpjekjet politike anti-Bullgare nga Shkupi si tentativa për të vjedhur historinë bullgare.

Ndërsa, Euractiv shkruan se Shqipëria është prekur indirekt nga vetoja bullgare.

“Vendosja e Shqipërisë në një udhë të veçantë të paktën nuk do të penalizonte padrejtësisht këtë vend”, shkruan ajo.

Deputetë të ndryshëm austriakë nga parti të ndryshme kritikuan gjithashtu nismën për të ndarë ofertën e Shkupit nga Tirana. Kreu i delegacionit të SPÖ-së në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, e hodhi poshtë idenë dhe deklaroi se “Várhelyi është shumë i ngathët” dhe se “interesi nacionalist si ai i Bullgarisë nuk duhet të kompromentojë një perspektivë të përbashkët Europiane për rajonin”.

Në një mënyrë të ngjashme, eurodeputeti konservator Christian Sagartz nga ÖVP-ja argumentoi kundër një ndarjeje të dy vendeve të Ballkanit, ndërsa Thomas Waitz i partisë së Gjelbër e quajti propozimin e Várhelyi-t “jo konstruktiv”.

Ai i bëri thirrje Komisionit Europian të bëjë presion ndaj Bullgarisë për të hequr veton e saj aktuale në hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut.

Bullgaria është aktualisht në krizë politike pasi dështuan përpjekjet për të formuar një qeveri pas zgjedhjeve të 4 prillit. Presidenti Rumen Radev do të caktojë një kabinet të përkohshëm të martën. Sidoqoftë, nuk pritet asnjë ndryshim i politikave ndaj Shkupit.

“Sipas burimeve”, shkruan Euractiv, “disa vende të BE-së mendojnë se Shqipëria nuk është akoma e gatshme për negociatat e pranimit dhe e shohin veton bullgare kundër Maqedonisë së Veriut si një bllok të dobishëm në ecjen përpara të procesit”.

Ndërkohë, ministri i jashtëm kroat, Gordan Grlić Radman beson se BE duhet të rrisë përfshirjen e saj në Ballkanin Perëndimor dhe të punojë për një përgjigje më koherente dhe strategjike duke investuar kështu në stabilitetin dhe sigurinë e Europës si një e tërë.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota