Zaev kërkon në Bruksel fillimin e negociatave pa vonesë
BKT
Rajoni dhe Bota

Zaev kërkon në Bruksel fillimin e negociatave pa vonesë

Kryeministri maqedonas pret lajme pozitive gjatë presidencës portugeze

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i kërkoi BE të përmbushë premtimin dhe të fillojë pa vonesa negociatat e pranimit me vendin e tij në gjysmën e parë të këtij viti.

Ai tha se vinte në Bruksel me mesazhe që udhëheqësit e institucioneve të BE-së i dinë, i kuptojnë dhe i miratojnë dhe shtoi se tani është koha që BE të realizojë atë që premtoi pa vonesë.

“Republika e Maqedonisë së Veriut ka përfunduar të gjitha detyrimet e saj. Komisioni e njohu përparimin në raportet e tij dhe ua bëri të qartë shumë udhëheqësve të vendeve anëtare se vendi (ynë) ka një rekomandim të pakushtëzuar për të filluar negociatat,” tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut specifikoi se ai pret një vendim për të miratuar kornizën negociuese, duke mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare gjatë presidencës portugeze të bllokut.

“Përfaqësuesit e BE e dinë dhe e kuptojnë që identiteti ynë maqedonas dhe gjuha maqedonase nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë (temë) për negociata,” tha Zaev.

Në Dhjetor të vitit të kaluar, Sofja vuri veton kundër miratimit të kuadrit negociator dhe fillimit të negociatave të BE me Shkupin, duke shpjeguar se Maqedonia e Veriut nuk e përmbush marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe gjithashtu parashtroi kërkesën për të njohur rrënjët bullgare të identitetit dhe gjuhës maqedonase.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota