Di Maio: Lënia e Ballkanit Perëndimor jashtë BE, gabim historik
BKT
Rajoni dhe Bota

Di Maio: Lënia e Ballkanit Perëndimor jashtë BE, gabim historik

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Luigi Di Maio ka thënë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është një nga nyjat më të rëndësishme që mbetet për t`u zgjidhur dhe se status quo nuk është në dobi të askujt, përkundrazi lë dyert e hapura për tensione dhe akuza reciproke që reflektojnë negativisht në të gjithë rajonin.

Ai në një intervistë për gazetën Il Piccolo ka inkurajuar të dyja palët në bisedimet Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit, që të vazhdojnë procesin e dialogut Evropian për arritjen e një zgjidhje finale.

Duke folur rreth asaj nëse do të ketë lajme të mira për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në lidhje me fillimin e negociatave për aderim në Bashkimin Evropian, ministri i Jashtëm italian është shprehur kundër çdo vonese eventuale, pasi që igjithë procesi i zgjerimit rrezikon të dëmtohet.

“Hyrja e të gjitha vendeve të Ballkanit është një objektiv ambicioz, por sigurisht i realizueshëm dhe Italia është në ballë për ta arritur këtë. Vendet e rajonit duhet të përballen me sfidat komplekse, por të nevojshme. Secili do të kompletojë rrugëtimin sipas kapaciteteve të veta, por është thelbësore që të gjithë të arrijnë këtë objektiv strategjik”, ka thënë Di Maio, duke komentuar idenë e evokuar nga presidenti Slloven Borut Pahor, për një zgjerim të Bashkimit Evropian ndaj të gjitha vendeve ballkanike, jashtë BE-së në të njëjtën kohë.

Intervista e plotë

Javën e kaluar ju folët për një rrezik serioz të humbjes së besueshmërisë ndaj Bashkimit Evropian në Ballkan për shkak të vonesave në zgjerim. A mendoni se ky mesazh është marrë në kryeqytetet evropiane?

Në Bruksel, të gjithë jemi dakord që BE-ja nuk mund të shohë Ballkanin Perëndimor thjesht si një nga rajonet e fqinjë të saj. Është dera e shtëpisë dhe kjo kërkon përgjegjësi më të madhe. Të gjithë shtetet anëtare janë në favor të zgjerimit, megjithëse mund të ketë ndjeshmëri të ndryshme mes 27 Vendeve në pika individuale. Mbi këtë bazë duhet të punojmë për një ndryshim të ritimit nga BE-ja.

Cilat janë shtetet, që për momentin, hezitojnë më shumë në përshpejtimin e integrimit të Ballkanit? Dhe si t'i bindni ata të ndryshojnë pozicionet?

“Dialektika mes Shteteve anëtare është gjithmonë e aktive dhe ne respektojmë këndvështrimin e atyre që kërkojnë më shumë reforma nga vendet e rajonit. Edhe ne jemi të bindur se përafrimi i tyre me standardet evropiane është në interesin e të gjithëve, por duhet ta inkurajojmë këtë proces. Italia do të vazhdojë të luftojë për një rilansim të aksionit të BE-së që përkthehet në një përparim konkret të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor ".

Nëse zgjerimi vazhdon të frenohet, cilat janë rreziqet për Ballkani dhe cilat për BE-në?

"Lënia e këtyre vendeve jashtë BE-së do të ishte një gabim me historik, një miopi e pajustifikuar politike që do të favorizonte palët e treta, jo domosdo të interesuara në integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, do të ishte leva më e rëndësishme në dispozicionin tonë për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të zgjidhur nyjat politike që ende bllokojnë potencialin e jashtëzakonshëm të rajonit "

Një "non-paper" që ka qarkulluar në Këshillin e Punëve të Jashtme ka sinjalizuar një "zhgënjim të thellë" në rajon edhe për shkak të mungesës së ardhjes së vaksinave nga BE-ja. A mund të kishte bërë Bashkimi Evropian më shumë, pa e lënë Ballkanin në mëshirën e Kinës dhe Rusisë?

“Ne e kuptojmë mirë frustrimin e vendeve të rajonit për shkak të vonesave të marrjes së dozave të vaksinës. Të njëjtën ndjenjë e kemi përjetuar edhe ne për shkak të vështirësive të kompanive farmaceutike. Muajt e fundit, personalisht kam biseduar me Brukselin në mënyrë që Komisioni Evropian të marrë përsipër përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për furnizimin e vaksinave për Ballkanin Perëndimor. E dimë mirë se është e nevojshme të bëjmë më shumë dhe, sa më shpejt që lejon fushata e vaksinimit, ne do ta bëjmë si dhe Itali”.

Duke iu kthyer çështjes së zgjerimit, a do të ketë lajme të mira për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në lidhje me fillimin e negociatave?

“Të gjithë shpresojmë kështu pasi, pas më shumë se një viti nga vendimi për të hapur negociatat me Shkupin dhe Tiranën, vonesat e mëtejshme nuk janë të pranueshme. Javën e kaluar në Bruksel kam theksuar se besueshmëria e të gjithë procesit të zgjerimit rrezikon të dëmtohet nëse nuk e zhbllokojmë këtë vendim dhe do të vazhdojmë të punojmë pa u ndalur derisa të arrihet ky rezultat”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota