Jep dorëheqje ministri i Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut, Venko Filipçe
BKT
Rajoni dhe Bota

Jep dorëheqje ministri i Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut, Venko Filipçe

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një dalje për shtyp para pak çastesh para selisë së Qeverisë, ka bërë me dije se i ka dërguar kryeministrit Zoran Zaev propozimin për dorëheqjen e tij nga posti i ministrit të Shëndetësisë.

Ai tha se tragjedia në Tetovë e ka prekur shumë, andaj ka ofruar dorëheqjen si akt moral, por që shtoi se ka bërë maksimumin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

“Tragjedia fundit në Tetovë më ka prekur shumë, më vjen keq për viktimat, ngushëllime për familjet e tyre. Nuk kam fjalë ta përshkruaj këtë dhe s’ka mënyra për kompensim. Si mjek dhe ministër kam integritet, për këtë arsye sot ofrova dorëheqjen te kryeministri Zoran Zaev. Dua të falënderoj të gjithëve që më besuan dhe përkrahen gjatë punës sime dhe sfidave ”, tha Filipçe.

Dorëheqja e tij vjen pas tre dorëheqjeve paraprake pasditen e sotme, atë të dy drejtorëve të spitalit të Tetovës dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani.

Edhe ai, si kolegët e tij paraprakë që dhanë dorëheqjen, e justifikon atë me përgjegjësitë morale që ai mban si ministër për tragjedinë që ndodhi në spitalin e Tetovës.

Kujtojmë se para 2 ditësh në spitalin modular të Tetovës humbën jetën 14 pacientë të shtruar me Covid-19 si shkak i rënies së zjarrit brenda në objekt.

Deri më tani, për këtë, nuk është vënë akoma asnjë person para përgjegjësisë, ndërkohë Prokuroria Themelore ka bërë me dije se ka hapur procedurë paraprake për rastin në fjalë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota