Zaev: Kemi nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi me Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, pas mbledhjes së përbashkët qeveritare, në konferencë për shtyp thanë se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera miqësore, transmeton Telegrafi.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në deklaratën e tij tha se në mbledhjen e sotme janë nënshkruar 11 marrëveshje në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
“Me vite të tëra vendet tona kanë marrëdhënie të shkëlqyera miqësore. Edhe pse seancën e përbashkët e realizuam në kushte të veçanta, është shprehje e vullnetit tonë që t’i thellojmë marrëdhëniet dypalëshe. Na lidhin shumë interesa ekonomik, tregtar dhe fusha tjera”.
“Kemi nënshkruar 11 marrëveshje në seancën e sotme, në mesin e të cilave për lidhje infrastrukturore në pikën kufitare “Bllacë”, studim fizibiliteti për rrugën Tetovë – Prizren, si dhe marrëveshje për bashkëpunim në mes qendrave turistike Kodra e Diellit dhe Brezovica. Besoj se në periudhën e ardhshme, ministrat e të dy qeverive do të angazhohen për të realizuar detyrat e sotme”, tha Zaev.
Ai gjithashtu tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut e përkrah Kosovën për çështjen e liberalizimit të vizave.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pasi shprehu ngushëllime për tragjedinë në spitalin modular të Tetovës, tha se përveç bashkëpunimit ekonomik, të dy vendet duhet të jenë bashkë edhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.























