Mali i Zi ka bërë pak përparim në rrugën drejt BE-së
Sharr Travel

Mali i Zi ka bërë pak përparim në rrugën drejt BE-së

Komisioni i Bashkimit Europian në progresraportin 2021 shpreh shqetësim lidhur me tensionet politike në Mal të Zi. Mosmarrëveshtjet politike ngadalësojnë reformat, theksohet nga Brukseli.

Shefja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi Oana Cristina-Popa i dorëzoi  Presidentit Millo Gjukanoviq raportin vjetor  të progresit të Komisionit të Bashkimit Evropian.

Në Raport vend kyç zenë tensionet  dhe mosbesimi ndërmjet  aktorëve politik. Komisionit Evropian (KE) thotë se polarizimi ndërmjet shumicës dhe opozitës ka qenë i pranishëm gjatë tërë vitit 2020 dhe është intesifikuar më shumë pas zgjedhjeve. Mungesa e  angazhimit  konstruktiv të të gjithë  aktorëve  parlamentarë, ka  penguar që të ketë dialog politik, duke e polarizuar edhe më tej spektrin politik. Po ashtu në raport  përmendet dhe  bojkotimi i seancave parlametare nga ana e deputetëve të shumicës gjatë këtij viti.  

Shefja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Cristina-Popa, në një konferencë me gazetarë tha, se: "Parlamenti  duhet të përfshihet në një dialog transparent, vendimtar dhe gjithëpërfshirës si dhe të finalizojë  pa vonesë  emërimet gjyqësore dhe parlamenti duhet të dëshmojë se është i përkushtuar  në agjendën e reformave evropiane”. Ajo më tej duke iu referuar raportit nënvizoi, se ”Mali i Zi ka bërë pak përparim në luftën kundër korrupsionit që është i pranishëm në shumë fusha dhe krimit të organizuar dhe se në reformat kyçe të gjyqësorit nuk është shënuar përparim”. Raporti po ashtu flet edhe për  kontrabandën e cigareve dhe larjen e parave të pista.