Ansu Fati: Tani kualifikimi varet nga ne, goli për Agueron
BKT
Sport

Ansu Fati: Tani kualifikimi varet nga ne, goli për Agueron

Ansu Fati ka qenë pa diskutim njeriu i ndeshjes në fitoren mjaft të rëndësishme të Barcelonës në Kiev kundër Dinamos. Suksesi i dytë radhazi përballë ukrainasve për Barcelonën, që e rikthen fuqishëm në Champions.

Tri pikë që e ngjisin Barcelonën në vendin e dytë pas Bayernit dhe tashmë për ekipin e Sergi Barjuan kualifikimi është në dorën e vet, mjafton të fitojë përballë Benfikës në “Camp Nou”.

Por për të arritur deri këtu për Barcelonën nuk ka qenë e lehtë dhe është dashur një perlë e Ansu Fati për t’i dhuruar tri pikë plot vuajtje në Kiev.

“Ishte një betejë e vërtetë dhe ia kemi dalë me sukses. E rëndësishme është që tani gjithçka varet nga ne. E kishim të qartë se kjo do të ishte një javë e rëndësishme. Nuk jam ende në maksimumin tim, por kjo ishte një ndeshje që duheshin pikët dhe ne ia kemi arritur”, ka thënë talenti i Barçës.

Nuk kishte se si të ishte ndryshe. Ansu Fati ka pasur një dedikim të veçantë për golin dhe ai i ka shkuar Serxhio Agueros.

“Ky gol është për Kun Agueron. Kjo fitore është për të. Gjithçka i dedikohet atij në këtë ndeshje”, ka thënë talenti i katalanasve.