Maqedonia e Veriut merr sinjale pozitive nga Bullgaria
Maqedonia e Veriut shprehu gatishmërinë për të vazhduar dialogun me Bullgarinë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që po e mbajnë peng nisjen e bisedimeve të anëtarësimit midis Shkupit dhe Bashkimit Evropian.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, bëri këtë zotim një ditë pasi Bullgaria mbajti zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
Partia fituese në Bullgari “Ne vazhdojmë ndryshimin” ka thënë se do të ketë qasje të re ndaj Maqedonisë së Veriut, por, për të formuar Qeverinë e re, ajo do të duhet të bëjë koalicion me së paku tri parti të tjera.
Maqedonia e Veriut, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, i ka plotësuar kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE, por çështja është bllokuar nëntorin e kaluar në Këshillin Evropian, për shkak të kundërshtimeve të Bullgarisë.
Kjo e fundit insiston së pari në zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve që ka me Shkupin zyrtar, sa i përket identitetit, historisë dhe gjuhës maqedonase.
Së voni, Bullgari ka kërkuar edhe njohjen me Kushtetutë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.
Maqedonia e Veriut hedh poshtë pretendimet e Bullgarisë se gjuha dhe identiteti maqedonas ekzistojnë pas vitit 1945 dhe para kësaj periudhe ato kishin "rrënjë bullgare". Në korrik, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi një rezolutë që ia ndalon Qeverisë që të diskutojë për çështjen e identitetit, gjuhës dhe të kaluarës historike.
Osmani takoi të hënën në Bruksel homologun e tij bullgar, Svetlan Stoev, dhe, përmes një postimi në Facebook, tha se pret që kontaktet mes tyre të intensifikohen, me qëllim të gjetjes së “zgjidhjeve më të mira”.
“Dialogu i hapur dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë janë treguesit më të mirë të përgjegjësisë dhe përkushtimit për paqen dhe stabilitetin, perspektivat e rajonit, si dhe ballafaqimin e suksesshëm me të gjitha llojet e sfidave me të cilat përballemi së bashku”, shkroi Osmani në rrjetin social Facebook.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë që të mos bëjë një “gabim tjetër serioz” në Ukrainë.
Ndërkohë, Pentagoni e quajti "të pazakontë madhësinë dhe shtrirjen" e trupave ruse në kufi me Ukrainën.
Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime.
Zyrtarët evropianë thanë se po vëzhgonin situatën bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.
Franca në anën tjetër paralajmëroi se çdo veprim agresiv nga Moska do të kishte "pasoja të rënda".
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka hedhur poshtë pretendimet perëndimore se Moska mbase mund të sulmojë ushtarakisht Ukrainën.
Putin e akuzoi Uashingtonin për lëvizje agresive në Detin e Zi, pasi në atë rajon Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur stërvitje të mëdha ushtarake muajt e fundit.
Stoltenberg tha më 15 nëntor, ushtrimet e tilla në rajonin e Detit të Zi janë transarente dhe me “qëllime mbrojtëse"./REL























