Kroaci, përkujtohet 30-vjetori i masakrës së Vukovarit
Kroacia përkujtoi sot 30-vjetorin e masakrës së Vukovarit, një qytet në Danub, në kufirin me Serbinë, simbol i luftës për pavarësi kombëtare, i rrafshuar nga milicia serbe, pas dy muajsh rrethimi.
Rreth 30 mijë persona, përfshirë pjesëmarrjen e zyrtarëve më të lartë të shtetit, ishin sot në Vukovar.
”Sot kujtojmë heronjtë, të cilët i sollën popullit kroat lirinë dhe demokracinë”, theksoi kryeministri Andrej Plenkoviç duke kujtuar se ”Kroacia është ende në kërkim të 1 800 të zhdukurve gjatë luftës për pavarësi”.
”Ne do të vazhdojmë të kërkojmë për fatin e këtyre njerëzve”, shtoi ai duke nënvizuar se ”kjo çështje është një detyrim që Serbia duhet të zgjidhë rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Në kohën e rënies të qytetit në duart e ushtrisë serbe, 15 000 civilë, përfshirë 2 000 fëmijë dhe rreth 500 të plagosur, u fshehën mes rrënojave të shtëpive të shkatërruara.
Episodi më tragjik ka të bëjë me masakrën në spitalin e Vukovarit, ku ndodheshin 264 civilë kroatë, të cilët u vranë nga forcat serbe pasi ishin torturuar.
Në total ishin 2 717 persona, ushtarakë dhe civilë, të cilët humbën jetën në anën kroate në betejën për Vukovarin, e cila zgjati nga gushti deri më 18 nëntor 1991./atsh























