Bregu: Të qenurit europian s`ka të bëje me ADN,por me atë që beson e lufton
Rajoni dhe Bota

Bregu: Të qenurit europian s`ka të bëje me ADN,por me atë që beson e lufton

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Majlinda Bregu, gjatë diskutimeve në Forumin Rinor BE-Ballkan, ku fokus ishte “Zgjerimi i BE-së, politikat kombëtare dhe ndërkombëtare", tha se të qenurit europian nuk ka të bëje me ADN, por me atë për të cilën beson dhe lufton.

 “Nuk përbën më lajm fakti se rinia jonë po largohet nga rajoni. Një në 3 të rinj, 18-24 vjeç, në Ballkanin Perëndimor shprehen se janë gati të largohen nga vendlindja. Mesazhi që ata japin është i qartë: destinacioni që ata zgjedhin tregon se çfarë u mungon në shoqëritë ku jetojnë. Në një realitet të tillë, ne duhet t’i vëzhgojmë me kujdes, t’i dëgjojmë dhe më e rëndësishmja të veprojmë, për t'iu dhënë atyre një arsye të fortë, për të qëndruar. Koha është një luks, që nuk e kemi dot me bollëk. Ndaj duhet të nxitojmë e të bëjmë sa më parë aksione konkrete, nëse duam të sigurojmë për ta një të nesërme, një të ardhme ndryshe”, tha dje Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Majlinda Bregu, gjatë diskutimeve në Forumin Rinor BE-Ballkan, ku fokus ishte “Zgjerimi i BE-së, politikat kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Laboratori për Rininë  në Ballkanin Perëndimor: Fitimi i trurit vs ikjes së trurit VIDEO: https://www.youtube.com/watch?v=iN2ptou542I
 
“Europë nuk do të thotë thjesht një ndarje kufijsh gjeografikë. Edhe të qenit europianë nuk ka të bëjë thjesht me ADN, por më së shumti me atë që beson dhe që synon ta fitosh. Mos mendoni se procesi i europianizimit duhet të jetë vetëm një proces datash. Duhet të mendoni e kuptoni se janë shoqëritë ato që përcaktojnë të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Duhet të ndjeni se çfarë do të thotë të mos kesh kufij e të lëvizësh lirshëm nëpër Europë e rajon. Gjithë dilemat dhe sfidat që ne ndajmë mes njëri- tjetrit, që kanë të bëjnë me dixhitalizimin, ndryshimet klimaterike, sigurinë, lajmet e rreme apo dhe revolucionet teknologjik, që do të ndryshojë tregun tonë të punës, janë ato çfarë na bëjnë të ndjehemi europianë,” përfundoi Bregu.
 
Forumi Rinor BE-Ballkan mblodhi në Romë, 88 të rinj, pjesëmarrës dhe mentorë, nga secili prej 27 vendeve anëtare të BE-së dhe 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Për pesë ditë, u diskutuan çështjet e përbashkëta të interesit, për përballjen me politikëbërësit dhe për mobilizimin e energjive, për të nxitur nisjen e niciativa të reja dhe për të sjellë pikëpamje të reja si mbi BE ashtu edhe integrimin e Ballkanit në BE. Forumi gjithashtu do t'i kanalizojë konkluzionet e tij në "Konferencën për të Ardhmen e Europës" të nisur nga BE për 2021-2022, për të lejuar qytetarët nga i gjithë kontinenti të paraqesin pikëpamjet e tyre për të ardhmen e BE-së.
 
Së bashku me znj. Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO), morën pjesë në panel ; Albert Hani, Sekretar i Përgjithshëm i Iniciativës së Europës Qendrore (CEI), Roberto Antonione dhe Sekretari i Përgjithshëm i Nismës së Adriatikut dhe Jonit, Amb. Giovanni Castellaneta.