Rashica: Mund të luftojmë në nivelin e lartë, mua më mungojnë vetëm golat
Sharr Travel

Rashica: Mund të luftojmë në nivelin e lartë, mua më mungojnë vetëm golat

Ylli i Kosovës, Milot Rashica ka folur për formën e mirë që është duke kaluar skuadra angleze, Norwich City.

Kosovari ende nuk ka shënuar golin e parë në Premierligë, derisa vazhdon të jetë titullar i padiskutueshëm te skuadra angleze.

Rashica ka folur për faqen zyrtare të “Norwich Cityt”, ku shprehet optimist se mund të garojnë në nivelet e larta.

“Ishte vështirë në fillim. Na u ndalua parasezoni shkaku i gjendjes me COVID-19, pra duhet të anulonim miqësoret. Ndeshje pas ndeshje, filluam ta njohim njëri-tjetrin dhe të luajmë në stilin tonë. Në tre ndeshjet e fundit kemi treguar që mund të luftojmë në këtë nivel të lartë”.

“Derisa jam duke luajtur dhe stërvitur, më bën me të lehtë, por ishte sfidë e vështirë në fillim. Kundër Wolves, ishte ndeshje e mirë nga e gjithë skuadra. Ne luftuam, ndihmuam dhe bëmë gjithçka se bashku. Në fund, morëm nga një pikë, por merituam tre, prandaj u ndjemë pak keq pas ndeshjes”.

“Ishte ndeshje që treguam se bëmë gjithçka për të fituar, por morëm një pikë dhe jemi duke shikuar përpara”.

Tutje, Rashica ka dhënë mendimin edhe për trajnerin e ri Dean Smith.

“Është moment i mirë, sidomos pasi jemi tre ndeshje të pamposhtur dhe fituam disa pikë. Janë duke bërë punë të mirë dhe po e shijojmë. Është stil i njëjtë si luanim me Daniel Farke”.

“Të dyve iu pëlqen futbolli sulmues dhe mua gjithashtu. Nuk jemi duke pranuar gola të lehtë që na kushtoi në ndeshjet e para. Jemi duke krijuar shanse dhe duhet të shënojmë më shumë gola”.

“E vetmja gjë që më mungon mua dhe skuadrës janë golat dhe asistimet, por sa më gjatë të vazhdojmë të fitojmë pikë dhe të luajmë mirë, nuk ka rëndësi kush shënon”.

Në fund, Rashica foli edhe për ndeshjen e radhës ndaj Newcastle United, që beson se duhet ta fitojnë, transmeton lajmi.

“Jemi optimist dhe jemi të mirë mjaftueshëm dhe kemi kualitetin në skuadër për të qëndruar në ligë. Fillimi nuk ishte i mirë, por sezoni është i gjatë dhe besoj që do t’ia dalim”.

‘Është gjithmonë mirë të kemi presion. Pas ndeshjes së fundit që kishim, do provojmë të shkojmë aty dhe të kthehemi me tre pikë. Nuk ka ndeshje të lehtë, nuk ka rëndësi nëse je i pari apo i fundit. Ka befasi çdo javë në Premierligë. Mendoj se çdo javë duhet të fitojmë, sepse jemi në këtë pozitë”, nënvizoi ai.