Takimi Osmani–Donfried: SHBA-të partneri jonë afatgjatë
BKT
Rajoni dhe Bota

Takimi Osmani–Donfried: SHBA-të partneri jonë afatgjatë

Ministri i Jashtëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani të mërkurën e 1 dhjetorit në margjinat e takimit ministror të Aleancës Veri-Atlantike, NATO, i cili po mbahet në Riga, ka zhvilluar një takim bilateral me Ndihmës Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ku është vlerësuar se SHBA-të janë partneri afatgjatë i Maqedonisë së Veriut.

Kryediplomati Osmani ka thënë se në takim është biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin në NATO, perspektivat euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për situatën aktuale politike në vend dhe në rajon, shkruan Albanian Post.

“Shtetet e Bashkuara janë aleati dhe partneri ynë afatgjatë strategjik”.

“Si aleatë të NATO-s, jemi të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve në fushën e sigurisë, mbrojtjes, funksionimit demokratik të institucioneve, luftës kundër terrorizmit global, ekonomisë së tregut të lirë dhe zgjerimit të mundësive për aktivitete biznesore të dy vendeve”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.

Ai duke theksuar rolin e rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në arritjen e stabilitetit afatgjatë, demokratizimit dhe prosperitetit të vendit dhe rajonit të Ballkanit, ka falënderuar SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme për arritjen e aspiratave euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Si jashtëzakonisht të ngushta u vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve kanë thënë Osmani dhe Donfried.

Gjithashtu, Osmani ka shkruar se janë akorduar me Donfried që në periudhën e ardhshme të punohet me përkushtim për avancimin e mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

Në Riga është duke u zhvilluar konferenca ”Pikëpamja e NATO-s drejt vitit 2030 dhe më tej”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota