21:33 / 23.12.2021
Gjukanoviq infektohet me Covid-19
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka rezultuar pozitiv për koronavirus. Kjo është hera e dytë që ai infektohet.
Presidenti malazez është infektuar me koronavirus pasi që ditë më parë ka pasur kontakt me një person që kishte COVID-19, raporton rtcg.
“Në përputhje me masat epidemiologjike, ai ndodhet në izolim, nga ku do të kryejë detyrat e rregullta presidenciale”, thuhet në deklaratën e presidencës.
Politikani 59-vjeçar raportohet se ka simptoma të lehta dhe ndihet shumë mirë me shëndet.
Kujtojmë se Gjukanoviq kishte njoftuar në muajin korrik se ka kaluar virusin, por që nuk kishte qenë në dijeni deri në momentin që ishte testuar për antitrupa.























