Greqia nis vaksinimin e detyrueshëm për mbi 60-vjeçarët
Greqia ka filluar aplikimin e gjobave për personat mbi 60 vjeç, të cilët nuk janë vaksinuar kundër koronavirusit.
Rregulloret e reja kërkojnë që kushdo mbi kufirin e moshës të paguajë një tarifë mujore prej 100 eurosh, nëse zgjedh të mos vaksinohet.
Rregulli i ri u shpall në nëntor.
Autoritetet shtetërore shëndetësore do t’ua kalojnë autoriteteve financiare emrat e të pavaksinuarve. Paratë do të përdoren për të mbështetur spitalet në Greqi.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi se ”ka një mënyrë të lehtë për të shmangur ndëshkimin dhe ky është vaksinimi”.
Qeveria tashmë e konsideron këtë masë të suksesshme.
Që nga shpallja e sanksioneve, gjashtë javë më parë, rreth 217 000 njerëz mbi 60 vjeç janë vaksinuar.
Kjo ka rritur shkallën e vaksinimit në këtë grupmoshë në 90%.
Por, Mitsotakis përjashtoi vaksinimin e detyrueshëm për grupmoshat e tjera duke thënë se ishin kryesisht të moshuarit ata që sëmuren rëndë dhe duhej të trajtohen në spitale.























