Osmani: Politikanët të mos flasin për histori e as historianët për politikë
BKT
Rajoni dhe Bota

Osmani: Politikanët të mos flasin për histori e as historianët për politikë

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në një konferencë me gazetarët foli gjerë e gjatë për çështjen me Bullgarinë dhe bisedimet që po zhvillohen mes dy shteteve.

Ai tha se formati i bisedimeve 4+1 dëshmon se dy qeveritë po flasin 4 herë për të ardhmen e njëherë për të kaluarën.

Megjithatë Osmani tha se politikanët nuk duhet të flasin për historinë e as historianët për politikë, duke iu referuar deklaratës së fundit të bashkëkryesuesit të komisionit historik të Bullgarisë. Ai tha gjithashtu se në këto bisedime funksionon parimi që marrëveshja të vlejë për gjithçka ose asgjë, që do të thotë se Maqedonia e Veriut do të fillojë të zbatojë kërkesat bullgare kur Bullgaria të heq bllokadën për eurointegrimet.

“Parimi është se nuk është arritur marrëveshje për asgjë derisa nuk arrihet marrëveshje për gjithçka, që do të thotë se derisa nuk kemi garanci dhe nuk fillon zbatimi i çështjeve që janë të rëndësishme për ne, nuk mund të merremi me çështje që janë të rëndësishme për palën tjetër”, tha Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Osmani ishte decid gjithashtu se kërkesa e Bullgarisë për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e vendit do të pranohet, por nuk saktësoi kornizën kohore për një gjë të tillë.

“Është një kërkesë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që kanë përkatësi etnike bullgare, kështu që çdo qytetar i RMV-së ka të drejtë të bëjë kërkesat e veta para se shteti të reagojë”, shtoi Osmani.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota