Djukanovic pritet ta mandatojë Abazoviqin për kryeministër
BKT
Rajoni dhe Bota

Djukanovic pritet ta mandatojë Abazoviqin për kryeministër

Sipas mediave lokale malazeze, Presidenti malazez, Milo Djukanovic me siguri nesër do të ketë konsultimet me përfaqësuesit e grupit parlamentar të partisë së tij DPS në Kuvendin e Malit të Zi.

Sipas gazetës malazeze Dan, ky takim me deputetë do të jetë një formalitet dhe se liderit të lëvizjes URA, Dritan Abazoviqit do t’ia ofrojë mandatin e kryeministrit, të cilin e sheh si të vetmin që mund t'i sigurojë 41 votat e nevojshme në kuvend, përcjell Gazeta Metro.

Këtë pretendim Dan e bëri sipas burimeve të saj ku përmendet edhe se në qarqe politike flitet se nëse kjo shpallet të enjten, deri në fund të muajit pritet seanca e kuvendit malazez, ku do të zgjidhet qeveria minoritare.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanovic para dy ditësh ka deklaruar se partia demokratike e socialistëve është e gatshme të votojë qeverinë e pakicës, pasi kjo është zgjidhja më e mirë për situatën katastrofale në të cilën gjendet Mali i Zi për qeverinë e sotme.

Ai kishte shtuar se momentalisht nuk ka zgjidhje tjera që mbështeten nga subjekte tjera parlamentare për dalje nga kriza.

Djukanovic ka shtuar se ai konsideron se qeveria e pakicës do të duhej të zgjaste një vit, me rëndësi të madhe të përcaktimit të prioriteteve me të cilat duhet të merret në këtë periudhë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota