Selakoviq: Nuk ka alternativë të arsyeshme për vazhdimin e bisedimeve
Ministri i jashtëm serb, Nikola Selakoviq, thotë se nëse Kosova fillon të sigurojë njohje të reja, atëherë Serbia nuk do të rrijë duarkryq.
Ai vlerëson se projekti i pavarësisë së Kosovës është “i dështuar” dhe se sipas tij nuk ka alternativë të arsyeshme për të filluar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse dikush mendon se në atë mënyrë do të na shtyjnë pas murit, duhet të dinë se edhe ne mund të ndryshojmë mënyrën e sjelljes”, ka thënë Selakoviq në një intervistë për gazetën serbe Vecernje Novosti.
Ai ka potencuar se Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj dialogut dhe se ruajtja e paqes, stabilitetit, “interesave shtetërore dhe kombëtare” në Kosovë janë prioritete në këtë proces.
Sipas tij, Serbisë nuk i kërkohet njohja e Kosovës për t’u bërë anëtare e BE-së.
“Me politikën aktuale, Serbia ka treguar se si të ruajë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe të marrë vendime të mençura politike. Ne nuk biem pre e provokimeve”, ka shtuar ai.
Ai madje ka komentuar edhe për thashethemet rreth modaliteteve të ndryshme se si mund të zbatohet Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë duke shtuar se “e vetmja gjë që mund të diskutohet është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit”, deklaroi Selakoviq.























