Kovaçevski: Lufta në Ukrainë, pasoja për sigurinë dhe ekonominë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin në botë.
Në një fjalim të mbajtur të shtunën, ai tha se agresioni ushtarak “është shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim për sigurinë euroatlantike”.
“Ne, së bashku me aleatët, kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive. Shekulli 21 duhet të jetë shekull i dialogut, jo i luftës”, tha ai.
Kovaçevski shtoi se gjendja e sigurisë në Maqedoninë e Veriut është stabile dhe se, aktualisht, nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e këtij vendi.
“Qytetarët duhet të jenë të qetë, sepse, si shtet anëtar i NATO-s, ne mund të llogarisim në mbrojtjen që ofron aleanca më e fuqishme ushtarake në botë. Edhe pse dëshira jonë është të shmangim situata të tilla, megjithatë, në kushte të tilla të destabilizimit të madh të sigurisë, e kuptojmë se sa e rëndësishme është të jesh pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike”, tha Kovaçevski. (rel)























