Bocan-Kharchenko: Serbia mund të llogarisë në Rusinë për Kosovën
Ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko tha se Rusia do të vazhdojë mbështetjen ndaj Serbisë rrreth Kosovës.
Në një intervistë për gazetën serbe “Novosti”, Kharchenko tha se “Serbia mund të llogarisë në Moskën”.
“Sigurisht. Sikurse në çështjet tjera, edhe në çështjen e Kosovës, pozicioni i Rusisë është parimor, i vazhdueshëm, dhe nuk varet nga ndryshimi i situatave në rajonin e Ballkanit ose jashtë”, ka thënë ambasadori rus.
“Ky pozicion” i Rusisë, tha ai, “mbështetet në ligj ndërkombëtar”.
Ai tha se Moska e kupton “konsistencën e Beogradit”, dhe se “për çështjen e Kosovës do të vazhdojmë bashkëpunimin”.
Ai thotë se Rusia nuk i konsideron dy situatat paralele, atë të Kosovës dhe të dy të ashtuquajturave republika, përkatësisht të Luhanskut dhe Donetskut, derisa këto dy të fundit i quan “shtete me të vërtetë të pavarura”, dhe Kosovën “shtet të rremë”.
Kharchenko tha se Rusia nuk kërkon asgjë nga Beogradi, dhe se e kupton që Serbia ndjek interesat e saj nacionale.























