Vuçiq tërheq notën e protestës pas bisedës me Erdogan
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka biseduar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në lidhje me qëndrimet që ka shprehur ai për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Erdogan pak ditë më parë gjatë një vizite të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Turqi, kishte thënë se Turqia do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në NATO, siç ka përkrahur edhe njohjen e shtetësisë së saj, raporton N1.
Vuçiq ka thënë se Erdogan ia ka sqaruar se çfarë ka thënë dhe se ka hequr dorë nga nota e protestës.
“Kam pasur një bisedë me presidentin e Turqisë, Erdogan. Ai më ka sqaruar se çfarë ka thënë, se çfarë u përcoll dhe ne morëm vendim që të mos dërgojmë notë proteste”, ka thënë Vuçiq.
Sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, Vuçiq ka thënë se Serbia e ka treguar më herët qëndrimin e saj dhe se nuk do të flasë përditë për këtë.























