Abazoviq pritet të takohet me Lajçak në Turqi
Nënkryetari i qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq ndodhet në Turqi, si pjesëmarrës në Forumin Diplomatik në Antalya, me ftesë të ministrit të jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
"Forumi diplomatik në Antalya është një mundësi për Malin e Zi, pasi shprehu pozicionin e saj të qartë të solidaritetit me Ukrainën, e cila është plotësisht në pajtueshmëri me NATO-n dhe BE-në, si partnerë strategjikë të vendit tonë", thuhet në komunikatën zyrtare të tij.
Ndërkohë, Abazoviq do të ketë takim zyrtar sot me Miroslav Lajçak, të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, raporton Vijesti.
Forumi Diplomatik do të mbahet nga 11-13 Mars në resortin jugor turk në Antalya. Ky është një tubim i nivelit të lartë të profesionistëve që merren me diplomacinë, si udhëheqësit politikë, diplomatët, opinionistë dhe akademikët. Ky forum paraqet një platformë të shkëlqyeshme për akterët rajonalë dhe globalë nga sferat e diplomacisë, politikave dhe biznisit për të shkëmbyer ide dhe për të adresuar sfidat ndërkombëtare./S.Kelmendi/RTKlive























