Belgjikë: Makina futet në turmë, vdesin 6 persona
Një tragjedi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në karnevalin e Strépy-Bracquegnies, një pjesë e qytetit belg La Louvière.
Sipas shtypit belg, një makinë u përplas në turmë dhe la të paktën gjashtë të vrarë, 12 të plagosur rëndë dhe rreth 20 të plagosur më lehtë.
Të dhënat paraprake i zbuloi kryebashkiaku i La Louvière, Jacques Gobert.
Rrethanat e sulmit janë duke u hetuar, por policia vendase sqaroi se është përjashtuar skenari i një sulmi terrorist, shkruan "Corriere della Sera".
“Është masakër”, tha një dëshmitar.
Ai shtoi se pas goditjes, mbi njëzet persona ishin në tokë kudo, në rrugë dhe në trotuare në një sipërfaqe prej 30 metrash.
“Dëgjuam një zhurmë të madhe që vinte dhe makina hyri mes njerëzve. Ajo shpejtoi dhe sa kuptuam se diçka po ndodhte, të gjithë ishin në tokë”, rrëfen prezantuesi i “Bel RTL”, Fabrice Collignon.
Shoferi vazhdoi rrugën, por më pas u kap, tregon kryebashkiaku.
Ministrja e Brendshme belge, Annelies Verlinden, ka kontaktuar me kryebashkiakun, veçanërisht për të zbuluar nëse teza për sulm mund të përjashtohet.























