Disa vende duan të bllokojnë qasjen e Rusisë në Interpol
Organizata policore Interpol ka reaguar duke bërë ndryshime si pasojë e luftës në Ukrainë.
Për të mbrojtur disidentët rusë, një numër vendesh tani duan të përjashtojnë Rusinë nga aktivitetet e organizatës.
Rusia nuk mund të dërgojë kërkesa drejtpërdrejt në shtetet e tjera anëtare, përkundrazi korrespondenca kalon përmes Sekretariatit të Interpolit për t'u verifikuar. Ukraina është mbyllur plotësisht nga rrjeti i organizatës.
Nëpërmjet Interpolit, Rusia mund të kërkojë persona jashtë vendit dhe të kërkojë ekstradimin e tyre. Prandaj, për të mbrojtur disidentët rusë, një numër vendesh tani duan të përjashtojnë Rusinë nga aktivitetet e organizatës.
Baza e të dhënave që del më shpesh për diskutim është ajo e kuqe, e cila përfshin “njoftimin e kuq”, thotë profesori i së drejtës penale dhe procedurale Dan Helenius, njoftojnë mediet skandinave, transmeton RTKLive.com.
Interpoli është një organizatë ndërkombëtare policore, e cila punon për të koordinuar dhe mbështetur bashkëpunimin policor ndërmjet shteteve anëtare.
Bëhet e ditur se Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re kanë paraqitur një kërkesë që Rusia të pezullohet menjëherë nga sistemi i bashkëpunimit policor.
“Veprimet e Rusisë janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e individëve dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar të zbatimit të ligjit”, shkroi në Twitter sekretarja e Punëve të Brendshme të Britanisë, Priti Patel./M.Miftari























