Suedia dhe Norvegjia thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes
Suedia, Norvegjia dhe Finlanda do të thellojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes, njoftoi në një konferencë për shtyp kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson.
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ndikon tek ne. Ne kemi vendosur të thellojmë bashkëpunimin e përbashkët në fushën e mbrojtjes dhe do të kemi diskutime për politikën e sigurisë këtë verë me presidentin dhe kryeministrin e Finlandës”, tha Andersson.
Më tej ajo shtoi se ky aktivitet do të jetë vazhdim i diskutimeve që u zhvilluan në Finlandë në vitin 2019.
Ndërkaq kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, shtoi se Evropa është në një situatë më të pasigurt të politikës së sigurisë, njoftojnë mediet skandinave, transmeton RTKLive.
“Norvegjia, Suedia dhe vendet nordike, të cilat janë një rajon i qëndrueshëm, kanë mundësinë të vendosin axhendën në të ardhmen”, tha kryeministri Støre.
“Ne jemi dakord që vendet tona nordike të thellojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Kjo do të thotë më shumë ushtrime të përbashkëta, më shumë diskutime midis lidershipit të mbrojtjes dhe udhëheqjes politike”, tha Jonas Gahr Støre./M.M.























