Presidenti aktual Macron, shkon në balotazh me Marine Le Pen
BKT
Rajoni dhe Bota

Presidenti aktual Macron, shkon në balotazh me Marine Le Pen

Ardiana Gashi

Presidenti Emmanuel Macron do të përballet sërish me lideren e ekstremit të djathtë Marine Le Pen në balotazh. Ai do të shkojë në raundin e dytë si favorit, pasi doli pak më mirë se sa sugjeruan sondazhet e fundit.

Emmanuel Macron do të përballet me Marine Le Pen, udhëheqësen e ekstremit të djathtë francez, në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të Francës, sipas parashikimeve të bazuara në numërimin paraprak të votave të publikuara nga agjencitë franceze të votimit të dielën në mbyllje të votimit.

Projeksionet, të cilat mund të ndryshojnë ende, por në përgjithësi janë një tregues i mirë i rezultatit, treguan se zoti Macron kryeson me rreth 28.5 përqind të votave dhe zonja Le Pen në vendin e dytë me 24.2 përqind, pas një rritjeje të vonë që reflektoi pakënaqësi të gjerë, mbi rritjen e çmimeve, sigurinë dhe emigracionin.

Me luftën të ndezur në Ukrainë dhe unitetin perëndimor që ka të ngjarë të testohet ndërsa luftimet vazhdojnë, përformanca e fortë e zonjës Le Pen tregoi tërheqjen e qëndrueshme të rrymave nacionaliste dhe ksenofobike në Evropë.

Një Francë anti-NATO dhe më pro-ruse në rast të fitores së Le Pen do të shkaktonte shqetësim të thellë në kryeqytetet aleate dhe mund të thyente përgjigjen e bashkuar transatlantike ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Macron dëshiron ta transformojë Evropën në një fuqi të besueshme ushtarake me "autonomi strategjike".

Kurse Le Pen, partia e së cilës ka marrë fonde nga një bankë ruse dhe hungareze, ka prioritete të tjera.

Balotazhi, i 24 prillit, do të jetë një përsëritje e zgjedhjeve të fundit, në 2017, kur zoti Macron, në atë kohë një i sapoardhur në politikë që synonte të shkatërronte ndarjet e vjetra midis të majtës dhe të djathtës, e mposhti Le Pen me 66.9 përqind.

Rezultati përfundimtar këtë herë me siguri do të jetë shumë më afër se pesë vjet më parë.

Sondazhet e bëra përpara votimit të së dielës treguan se Macron fitoi me vetëm 52 për qind ndaj 48 për qind kundër Le Pen në raundin e dytë.

Kjo mund të ndryshojë në dy javët e ardhshme, kur kandidatët do të debatojnë për herë të parë në fushatë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota