Sanna Marin viziton Stokholmin, shkak anëtarësimi në NATO
Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, do të takohet sot në Stokholm me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson, në ditën kur në Parlamenti finlandez trajtohet çështja e sigurisë në Evropë.
Kryeministrja Sanna Marin ndodhet sot në Stokholm për të takuar homologen e saj suedeze, Magdalena Andersson.
Tema e vizitës është ndryshimi i situatës së sigurisë në Evropë.
Të dyja kryeministret do të diskutojnë, gjithashtu, debatin e vazhdueshëm të politikës së sigurisë në Finlandë dhe Suedi.
Sikundër bëjnë me dije mediet finlandeze, në Kuvendin finlandez pritet të jetë një mbledhje e rëndësishme, ku do të trajtohen avantazhet dhe disavantazhet e anëtarësimit të vendit në NATO.
"Dëshiroj që Finlanda dhe Suedia të marrin vendime për anëtarësimin e mundshëm në NATO me, përafërsisht, të njëjtin ritëm dhe në të njëjtin drejtim, megjithëse çdo vend merr vendimet e veta" është shprehur kryeministrja Marin. /M.M.























