`Me shumë gjasa` Finlanda do të anëtarësohet në NATO
BKT
Rajoni dhe Bota

`Me shumë gjasa` Finlanda do të anëtarësohet në NATO

Është "shumë e mundshme" që Finlanda të aplikojë për t`u anëtarësuar në NATO, thotë ministrja për Evropë në qeverinë finlandeze, Tytti Tuppurainen.

“Populli i Finlandës tashmë duket se e ka marrë vendimin dhe ka një shumicë të madhe në favor të anëtarësimit në NATO”, thotë Tuppurainen në një intervistë për Sky News.

Megjithatë, ajo thekson se çështja duhet të shtrohet së pari në Parlament.

“Është shumë e mundshme anëtarësimi, por vendimi nuk është marrë”, theksoi ajo.

Ajo më tej shtoi se 'lufta brutale e Rusisë në Ukrainë' është një "orë me zile për të gjithë ne, jo vetëm për finlandezët, por për të gjithë rendin e sigurinë në Evropë".

Të premten, Rusia paralajmëroi përsëri Suedinë dhe Finlandën për pasojat nëse të dy vendet do të bashkoheshin me aleancën e mbrojtjes, NATO-n. Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Maria Zakharova, thotë se vendimi i takon Finlandës dhe Suedisë.

"Por ato duhet të kuptojnë pasojat e një hapi të tillë për marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për arkitekturën e sigurisë evropiane në tërësi," tha ajo në një deklaratë.

“Ato automatikisht do të përfundojnë në vijën e frontit të NATO-s”.

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, në një konferencë për shtyp me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson, të mërkurën, tha se një vendim për një anëtarësim të mundshëm të Finlandës në NATO do të merret në javët e ardhshme./M.M.

 

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota