PE shprehu keqardhje për qëndrimet e Sebisë rreth luftës në Ukrainë
BKT
Rajoni dhe Bota

PE shprehu keqardhje për qëndrimet e Sebisë rreth luftës në Ukrainë

Në Komisionin e Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme është zhvilluar të enjten, 21 prill, debati për draftin e raportit për Serbinë. Për përmbajtjen e këtij raporti ka folur Viola von Cramon, raportuese për Kosovën.

Në debatin për raportin për Serbinë është shprehur keqardhje për qëndrimet e saj rreth luftës në Ukrainë dhe kjo është parë si largim i Serbisë nga aspiratat e saj evropiane. Disa deputetë kanë përmendur edhe pasoja të rënda për Serbinë, nëse nuk dëshmon se dëshiron të respektojë vlerat evropiane.

Shumë deputetë kanë thënë se “ka kaluar koha kur kanë mundur të bëhen balancime të qëndrimeve dhe tash Serbia, sikur secili shtet tjetër evropian, duhet të vendosë se në cilën anë dëshiron të jetë”, raporton REL.

Edhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Biliçik, ka kërkuar që Beogradi t’i mbështesë qëndrimet e BE-së.

“Shtetet sovrane miratojnë qëndrime sovrane, por edhe mbajnë përgjegjësi për qëndrimet e tilla” ka thënë Biliçik, duke shprehur pritjet e tij që Serbia t’i mbështesë qëndrimet e BE-së.

Michael Muler, nga Komisioni Evropian, ka thënë gjatë këtij debati se qëndrimet e Serbisë, sa i përket agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, do të merren në konsideratë kur të vendoset për hapat në procesin e zgjerimit.

Elsa Fenet, nga EEAS, ka thënë se, ndonëse Serbia ka mbështetur disa qëndrime të BE-së, siç janë votimet në OKB, ende nuk e ka mbështetur asnjë sanksion ndaj Rusisë për agresionin kundër Ukrainës. Ajo ka thënë se kanë vazhduar kontaktet politike mes Serbisë dhe Rusisë, përfshirë edhe me ata që i ka quajtur “persona kundërthënës”. Po ashtu, ajo ka tërhequr vërejtjen se fushata dezinformuese ruse në Serbi vazhdon të jetë e pranishme.

Viola Von Cramon ka përshëndetur përmbajtjen e raportit për Serbinë, por e ka kritikuar grupin e Partive Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, duke e quajtur si “zonë e sigurt për interesat e Partisë së presidentit Vuçiq”.

Deputeti nga Kroacia, nga radhët e grupimit Socialist dhe Demokrat, Tonino Piculla, ka thënë se Serbia nuk po e zbaton në praktikë obligimin për bashkëpunim rajonal dhe fqinjësi të mirë. Ai ka thënë se BE-ja nuk mund të tolerojë më kalkulime rreth standardeve dhe vlerave të saj.

Disa deputetë i bënë ftesë Serbisë që t'i hapë arkivat e ish-shërbimit sekret komunist UDB-së.

Raportet për Kosovën dhe Serbinë, sikur edhe për vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, do të votohen në mesin e qershorit në Komisionin për Politikë të Jashtme, ndërsa në seancë plenare në muajin korrik.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota