Shkupi mirëpret përfshirjen e SHBA-së në zgjidhjen e kontestit me Sofjen
BKT
Foto: REL
Rajoni dhe Bota

Shkupi mirëpret përfshirjen e SHBA-së në zgjidhjen e kontestit me Sofjen

REL

Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si lehtësuese në zgjidhjen e kontestit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, shihet si mundësi e mirë për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian për Shkupin dhe Tiranën.

Muhamet Halili, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut, thotë se përfshirja e Uashingtonit në këtë proces mund të rezultojë me heqjen e vetos bullgare, e cila tani gati dy vjet po e mban të bllokuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian.

Halili thotë se BE-ja është treguar e pafuqishme që ta detyrojë Sofjen të arrijë një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve, andaj përfshirjen e SHBA-së në këtë proces e konsideron si vendimtar në mbylljen e kontestit.

“Kyçja e një shteti me influencë të madhe ekonomike, politike dhe gjeopolitike në Ballkan, është një e arritur shumë e madhe, sepse deri tani rezultatet treguan se përpjekjet e BE-së që të vijë deri te një marrëveshje që Bullgaria të heqë veton, ishin të pasuksesshme. BE-ja pa të drejtë këtë çështje e fokuson në marrëdhëniet bilaterale dhe kjo nuk do të japë rezultatet e duhura meqë kemi të bëjmë me një shtet anëtar të BE-së që është ekonomikisht dhe politikisht më i fuqishëm se Maqedonia e Veriut”, vlerëson Halili.

Sipas tij, ky problem mund të kapërcehet vetëm me ndihmën e SHBA-së, e cila në bashkëpunim me shtetet me ndikim në BE - Francën dhe Gjermaninë - do të mund të arrijnë një zgjidhje të problemit, që, sipas Halilit, rrezikon shtyrjen në pakufi të kontestit me Maqedoninë e Veriut.

Interesimin e SHBA-së për zgjidhjen e shpejtë të kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Muhamet Halili e sheh si shqetësim të Uashingtonit për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, i cili mund të shfrytëzohet nga palët treta e në veçanti nga Rusia, për të zgjeruar konfliktin e agresionit në Ukrainë.

“Në vend ku ka çështje të pazgjidhura mund të shndërrohet në një rrezik potencial për tërë rajonin. Pra, SHBA-ja, por edhe BE-ja me masat e fundit të sanksioneve kundër Rusisë, mësuan mjaft se nuk duhet të lejojnë që praktika të tilla të përsëriten ndoshta edhe më keq në të ardhmen”, thotë Halili.

Se bashkësia ndërkombëtare, përfshirë tani dhe SHBA-në, është e interesuar për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes, e thotë edhe Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeministër për çështjeve evropiane.

“Presioni ndaj Bullgarisë nuk është më sekret, as në shoqërinë bullgare, as nga partnerët brenda BE-së apo SHBA-së. Ne vazhdimisht dëgjojmë për mesazhe të qarta që i dërgohen Sofjes si në planin dypalësh, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në komunikimin e fundit SHBA-BE, veçanërisht me Francën si vend kryesues me BE-në. E gjithë kjo është në përputhje me përpjekjet e SHBA-së për stabilizimin përfundimtar të Ballkanit dhe në kontekstin e sfidave aktuale të sigurisë, me të cilat përballet Evropa”, thotë Naumovski.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota