Zgjedhjet në Tërnoc të Bujanocit, sërish mund të përsëriten
Foto: Alban Selimi
Rajoni dhe Bota

Zgjedhjet në Tërnoc të Bujanocit, sërish mund të përsëriten

Jeton Musliu / RTKlive

Zgjedhjet në Serbi, ende nuk kanë përfunduar në tërësi. Ato në vendvotimin numër 6 në Tërnoc të Bujanocit, ka mundësi të përsëriten. Në fakt, kjo mund të ndodhë nëse Gjykata Administrative rrëzon ankesen e Shaip Kamberit dhe aprovon atë të Komisionit Republikan Zgjedhor që vendosi për përsëritjen e zgjedhjeve në atë vendvotim.

Ky i fundit konsideron se pushteti autoritar i Vuçiqit dhe Daçiqit në Beograd,  po vazhdon të veprojë për t’i përjashtuar ata pak shqiptarë të mbetur në institucionet shtetërore.

“Dje instrumentalizuan politikisht Komisionin Republikan Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimin nr.6 në Tërnoc të Bujanocit”, deklaron Kamberi, i cili për rreth 300 vota nuk po arrin të marrë mandatin e deputetit, mandat të cilin ai e fiton me votat e vendvotimit numër 6 në Tërnoc të Bujanocit.

“Përderisa ne do të ankohemi në Gjykatën Administrative, kjo flet se Beogradit zyrtar i pengon edhe një deputet i vetëm shqiptar në një parlament me 250 deputetë, kryesisht serbë dhe të dominuar nga SNS i Vuçiqit dhe SPS i Daçiqit”, deklaron Kamberi.

Sipas tij, keqpërdorimi i mekanizmave shtetëror nga SNS dhe SPS të Qeverisë së Serbisë për t’i përjashtuar shqiptarët nga institucionet shtetërore, po shoqërohet paralelisht me përfshirjen e tyre në vendimmarrjet e komunave të Luginës së Preshevës.

“Çdo ditë e më shumë po dëshmohet se Serbia nuk do shqiptarë në institucione. Në vend të integrimit të shqiptarëve përtej organeve jo komunale, Qeveria e Serbisë po integrohet çdo herë e më shumë në pushtetet komunale të Luginës për t’ia ngushtuar edhe aty shqiptarëve praninë dhe përfshirjen”, deklaroi Kamberi.  

Ai tha se para  disa viteve, Serbia  përjashtoi  edhe ata pak shqiptarë të mbetur në Medvegjë nga vendimmarrja komunale.

“Nesër përfshihen në vendimmarrjen komunale të Preshevës”.

Zgjedhjet në Tërnoc të Bujanocit janë përsëritur për shkak të dyshimeve për keqpërdorime. Por me rezultatin e fundit, Shaip Kamberi fiton mandatin si deputet në Kuvendin e Serbisë, si i vetmi shqiptar nga “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota