Nikolloski: Nisje urgjente e negociatave me BE-në
Rajoni dhe Bota

Nikolloski: Nisje urgjente e negociatave me BE-në

Nisja urgjente e procesit për anëtarësim të vendit tonë në Bashkimin Evropian, rritja e bashkëpunimit rajonal, realizimi i projekteve kyçe të infrastrukturës si Korridori 8, tranzicioni në ekonomi të gjelbër, si dhe sigurimi i stabilitetit politik si një nga faktorët kyç për tërheqjen e investimeve ishin një nga mesazhet thelbësore të zëvendësministrit të Financave, Filip Nikolloski në Forumin ekonomik të mbajtur në Tiranë (Tirana economic forum).

Në forum, folësit në panelin e diskutimeve theksuan se progresi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është i qartë dhe prandaj negociatat për anëtarësimin e dy vendeve në BE duhet të fillojnë sa më parë.

Gjithashtu, u theksua se historia para dhe pas 24 shkurtit ka ndryshuar dukshëm dhe nëse nuk ka vendim për fillimin e negociatave, BE-ja do të hapë rrugën për destabilizim, prandaj zgjerimi i BE-së është i domosdoshëm. Në kushte të krizës energjetike, gjithashtu është e rëndësishme që të zhvillohen partneritete në nivel rajonal.

“Prioriteti ynë i parë është sigurimi i stabilitetit të çmimeve si faktor kyç në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar”. Për këtë qëllim, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi pako prej 26 masash në vlerë të përgjithshme prej 400 milionë euro me qëllim të mbrojtjes së standardit jetësor të popullatës dhe likuiditetit të kompanive, si dhe për përkrahjen financiare të kompanive.

“Në periudhë afatmesme dhe afatgjate, prioriteti ynë është që të arrijmë normën e rritjes prej 5% në nivel vjetor, si dhe konsolidimin fiskal sa i përket zvogëlimit të deficitit buxhetor dhe borxhit publik”, potencoi Nikolloski.

Gjithashtu, rëndësi të madhe ka edhe ruajtja e stabilitetit politik.

“Zgjedhjet e shpeshta janë sinjal jo i mirë për investitorët. Nevojitet kontinuitet në zbatimin e politikave dhe projekteve që janë vendimtare për zhvillimin e vendit tonë”, theksoi zëvendësministri i Financave, Nikolloski.

Një nga projektet kyçe që do të fillojë të realizohet gjatë këtij viti është Korridori 8, me ndërtimin e të cilit, siç theksoi Nikolloski, do të përfundojë ndërtimi i korridorit panevropian dhe do të mundësohet lidhje më e mirë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë me vendet e tjera./ Klan Macedonia