Beogradi vazhdon të punojë për çnjohje të Kosovës
Foto: REL
Rajoni dhe Bota

Beogradi vazhdon të punojë për çnjohje të Kosovës

REL

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë do të vazhdojnë të punojnë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq.

Ai iu drejtua publikut pas një seance të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të kryesuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e thirrur pasi që Kosova më 12 maj aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Si ministër i Punëve të Jashtme, sot ia dorëzova presidentit (Aleksandar) Vuçiq notat diplomatike të katër vendeve që tërhoqën njohjen e Kosovës dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare e autorizoi Vuçiqin që ta informojë opinionin e gjerë se për cilat shtete bëhet fjalë, sapo ta gjykojë që është e nevojshme”, tha Selakoviq.

Selakoviq nuk bëri të ditur se për cilat shtete bëhet fjalë.

"Me këtë veprim, duam t’u japim një shans shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (KE) që të mos iniciojnë procedurën e pranimit të të ashtuquajturës Kosovë në KE në
qershor”, tha ai.

Takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i Serbisë është mbajtur të premten në Beograd - një ditë pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare tubon përfaqësuesit më të lartë të sektorit të mbrojtjes dhe të sigurisë në Serbi dhe kryesohet nga kreu i shtetit.