Analisti finlandez për pengesën turke: NATO nuk është kopsht me trëndafila
Përktheu: Muharrem Miftari/RTKLive
Nëse një vend i vetëm do të mund të ndalonte Suedinë dhe Finlandën, do të ishte fundi i politikës së dyerve të hapura të NATO-s - prandaj është shumë e rëndësishme për NATO-n që gjithçka të shkojë në rrugën e duhur, siguron Mika Altola (Mika Aaltola), kreu i Institutit të Politikës së Jashtme.
Të enjten, presidenti Sauli Niinistö dhe kryeministrja suedeze Magdalena Andersson do të bëjnë një vizitë pune në Uashington për të takuar, ndër të tjera, presidentin amerikan Joe Biden.
Suedia dhe Finlanda paraqitën aplikimet e tyre për NATO të mërkurën.
Në agjendën e takimit janë anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO, agresioni rus në Ukrainë dhe marrëdhënia mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara në një situatë, tashmë, të ndryshuar të politikës së sigurisë.
Të mërkurën, ishte e qartë se nuk do të ishte një vendim kaq i shpejtë siç shpresohej të fillonin bisedimet e anëtarësimit me Suedinë dhe Finlandën. Varet nga Turqia. Sinjalet e përziera të Turqisë u materializuan në një formë të "listës së kërkesave" të publikuar në mediet turke. Turqia beson se organizata kurde PKK duhet të trajtohet si një organizatë terroriste dhe se duhet të ndërpresë trafikun e parave për organizatën. Vendi gjithashtu dëshiron që forcat kurde në Siri të dënohen.
Agjencia e lajmeve “Bloomberg” ka raportuar më parë se Turqia dëshiron të rifillojë marrëveshjen e planit të saj luftarak me Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara e pezulluan marrëveshjen tre vjet më parë, kur Turqia bleu sistemet ruse të mbrojtjes ajrore. Për më tepër, Turqia kritikon ndalimin e eksportit të armëve që Suedia dhe Finlanda vendosën së bashku me BE-në në vitin 2019.
Drejtori i Institutit të Politikës së Jashtme, Mika Altola, e sheh shqetësuese faktin se po paraqitet një listë e detajuar – deri tani kërkesat kanë qenë më të valëzuara dhe mesazhet “strategjikisht të paqarta” – por vlerëson se nuk është një listë përfundimtare.
I njëjtë është vlerësimi i ekspertit të institutit për Turqinë, Toni Alaranta, i cili përmes Twitter-it shkruan se mund të bëhet fjalë ende për "përbërësit" nga të cilët përbëhet vullneti i Turqisë.
“Kur lind një zgjidhje, nuk përbëhet domosdoshmërisht nga përbërësit që janë ndër kërkesat”, thotë Altola.
Ministri i Jashtëm i Finlandës, Peka Havisto (Pekka Haavisto), ka deklaruar tashmë se Finlanda nuk ka ndërmend të luajë shah për anëtarësimin në NATO. Altola beson se mund të jetë ende një çështje për t'i treguar Turqisë se çfarë lloj gatishmërie ka për të marrë parasysh çështjet e sigurisë së Turqisë.
“Finlanda dhe Suedia kanë barrën që ne duhet t'i dëshmojnë Turqisë se jemi të dobishëm nëse është e nevojshme. Por duhet të jetë për kërkesa legjitime - diçka jodemokratike, nuk duhet pranuar”, thotë Altola.
“E kam thënë edhe më parë se NATO nuk është një kopsht me trëndafila”, thotë Altola dhe i referohet faktit se janë përfshirë vende dhe interesa shumë të ndryshme.
“Në të njëjtën mënyrë, ka grupime të ndryshme të vendeve në BE, dhe kjo nuk është një situatë e re”, shtoi ai.
Çfarë çelësash kanë Shtetet e Bashkuara është një pyetje e madhe.
Altola thekson se Shtetet e Bashkuara kanë një peshë të madhe, jo më pak ndikim ekonomik.
Qeveria finlandeze nuk ka shprehur ndonjë shqetësim se nyjat nuk do të mund të zgjidheshin. Altola gjithashtu beson se ka zgjidhje, duke shtuar se Turqia duhet të vlerësojë edhe atë se sa larg ia vlen të shkojë.
“Finlanda nuk është e vetme, por ka mbështetjen e disa shteteve, si Gjermania dhe Franca. Turqia gjithashtu ka një histori kërkesash ndaj BE-së për të marrë kompensim për trajtimin e refugjatëve dhe, më pas, dikush mund të pyesë nëse Turqia dëshiron të përshkallëzojë këtë lloj çështjeje” vlerëson Altola.