Ninistë: Finlanda merr nismën për të biseduar me Turqinë
Rajoni dhe Bota

Ninistë: Finlanda merr nismën për të biseduar me Turqinë

Përktheu: Muharrem Miftari/RTKLive

Finlanda merr përgjegjësinë për zgjidhjen e kushteve që Turqia duket se po vendos për pranimin e aplikimit të Finlandës në NATO. Këtë mesazh e dha presidenti Sauli Ninistë (Sauli Niinistö) pas takimit me presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Finlanda vazhdon të sqarojë saktësisht se cilat kërkesa ka Turqia që Finlanda të pranohet si anëtare e NATO-s. Presidenti Sauli Niinistö thotë se lista e kërkesave nga pala turke duket se ndryshon - ai ka parë gjithçka nga tre deri në dhjetë kërkesa të ndryshme.

“Kemi arsye të kuptojmë saktësisht se ku ‘po shtrydhet këpuca’. Shtetet e Bashkuara na japin mbështetjen e tyre të plotë, por pikënisja është se Turqia ia ka drejtuar mesazhin Finlandës dhe Suedisë dhe më pas jemi ne ata që duhet të përgjigjemi", deklaroi ai.

Ninistë deklaroi kështu në një konferencë për shtyp pas takimit që ai, bashkë me kryeministren suedeze Magdalena Anderson (Magdalena Andersson) pati me presidentin amerikan Xho Bajden (Joe Biden) dhe të gjithë grupin e politikanëve kryesorë në Kongresin dhe Senatin amerikan të enjten.

Ninistë vlerësoi se takimi ishte i frytshëm dhe që  Shtetet e Bashkuara i ofrojnë Finlandës dhe Suedisë një mbështetje vërtet të gjerë dhe mbresëlënëse në ambicien e tyre për të aplikuar për anëtarësim në NATO.

“Mbështetja e SHBA-së është një sinjal për vendet e tjera të NATO-s. Deri më tani, të gjithë duket se kanë qenë të vëmendshëm, përveç Turqisë, e cila ka paraqitur një sërë kërkesash”, sqaroi kryetari Ninistë.

Në këtë pikë, Ninistë është shumë i qartë - përgjegjësia është e Finlandës.

“Do të zbulojmë saktësisht se çfarë duan dhe më pas do të lëmë një mesazh të qartë. Pastaj, në rast të ndonjë paqartësie, mund të diskutojmë më tej”, tha kryetari Ninistë.

Finlanda ka qenë tashmë në kontakt me Turqinë në nivel diplomatik dhe këto bisedime po vazhdojnë. Ninistë është ende i gatshëm të ndërhyjë, nëse është e nevojshme.

“Mendoj se mund të duhen kontakte edhe në një nivel më të lartë”, theksoi kryetari i Finlandës Sauli Ninistë.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota