Ekspozimi i Kupës së Botës në COD,Rama:Mbase vjen dita që ta marrim edhe ne
Sport

Ekspozimi i Kupës së Botës në COD,Rama:Mbase vjen dita që ta marrim edhe ne

ATSH

Turneu i trofeut të Kupës së Botës, organizuar nga FIFA dhe Coca-Cola, ka mbërritur paraditen e së dielës në Shqipëri dhe do të ekspozohet në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), deri në orën 21:00 të mbrëmjes.

I pranishëm në këtë event ishte edhe Kryeministri, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse falënderoi organizatorët e Coca-Colës dhe FIFA-s për këtë realizimin e këtij turneu.

“Këto janë ditë shumë të veçanta për doganën shqiptare, sepse për herë të parë u ndeshën me procedurën e zhdoganimit të një kupe dhe jo të një po të dy kupave njëherazi, edhe të kupës së botës dhe asaj të konfederatës, e cila do të jepet në stadiumin tonë, të mërkurën. Por këto janë nga ato halle që do dëshironim që t’i kishim edhe më të shumta në të ardhmen. Edhe pse orët e qëndrimit të kupës në Tiranë janë vetëm 5 orë, uroj dhe shpresoj që sa më shumë futbolldashës ta vizitojnë kupën”, tha Rama.

“Uroj që gjithë miqtë që kanë ardhur ta kalojnë mirë në Tiranë ne jemi gati t’i mbajmë këtu. Për momentin jemi duke u marr me kupat e të tjerëve po mbase vjen dita që ta marrim edhe ne“, shtoi Kryeministri.

Në fjalën e tij, Rama falenderoi edhe ish-kapitenin e Kombëtares, Lorik Cana.

“Shikoj që mes të tjerësh këtu është kapiteni ynë i përhershëm i ekipit tonë kombëtar, Lorik Cana, se unë të them të drejtën nuk e di kush është kapiteni sot edhe kjo është për hir të së vërtetës përgjegjësi e Lorikut sepse Loriku ishte një i atillë kapiten që tani të gjithë ata që do e ndjekin nga pas do duken si kapiten të përkohshëm, njësoj si kupa e botës që është e Brazilit dhe shkon herë pas here në duar të tjera edhe shiriti i kapitenit të kombëtares është i Lorikut dhe tani shkon nëpër duar të tjera thjesht për arsye procedurale. Kështu që falenderoj shumë dhe Lorikun për praninë e tij këtu. Nuk dua të zgjatem më tutje. Uroj që gjithë miqtë që kanë ardhur së bashku me Gilberton të ndihen mirë në këto orë, të kalojnë një mbrëmje të këndshme në Tiranë. Ne jemi gati t’i mbajmë edhe për më gjatë, madje unë Gilbertos i thashë kur tha që tani jam ne Brazil, por po mendoj të kthehem në Europë, i thashë: një nga stacionet mund të jetë këtu se për momentin jemi duke u marrë me kupat e të tjerëve por mbase vjen dita ta fitojmë një kupë edhe ne, nuk i dihet, asnjëherë mos thuaj kurrë”, tha Kryeministri.

Ish-futbollisti Gilberto Silva, në fjalën e tij falenderoi kryeministrin Rama për mikpritjen, teksa tha se “kemi shijuar çdo minutë këtu në Shqipëri, ku kemi sjell Trofeun e origjinal të Kupës së Botës, që do të thotë shumë”.

“Nuk ka rëndësi nëse e kam parë dje dhe e shoh në të ardhmen trofeun por, ky moment për mua është shumë i veçantë duke qenë se e kam ndarë këtë moment me Kryeministrin Rama, përfaqësuesin e Coca Colës dhe të tjerë, sepse për mua kjo ka të bëjë me ëndrrën, frymëzimin”, tha ai.

Sipas tij, kjo vlen që të bëhesh më i mirë.

“Trofeu në fakt është diçka unike që frymëzon brezin e ri që të bëhet më i mirë në futboll e në jetë. Sepse futbolli ka fuqinë t’i bëjë njerëzit bashkë, për të mirën”, u shpreh Silva, teksa uroi që “që ky Trofe t’ju japë mundësinë për të ëndërruar dhe punuar fort”.

Kjo ndalesë e veçantë, e gjen Shqipërinë në kushtet e mikpritjes të finales së UEFA Conference League mes Romës dhe Feyenoord, më 25 maj, çka shënon organizimin e parë të një finaleje europiane në historinë e kombit shqiptar.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa